Showbiz

Arrestohet reperi Mystikal, akuzohet për përdhunim

Reperi amerikan, Mystikal, është arrestuar nën akuzat e përdhunimit të shkallës së parë, dhunës në familje, vjedhjes dhe dëmtimit të pronës.

Reperi nga New Orleans u arrestua të dielën (31 korrik) pasi një natë më parë, policia e kishte intervistuat një të mbijetuar të dyshuar të sulmit seksual.

Ueb faqja për të famshëm, “TMZ”, raportoi se Mystikal, emri i vërtetë i së cilit është Michael Tyler, vazhdon të qëndrojë prapa grilave. Viktima e supozuar e cila gjendet e shtrirë në një spital në Louisiana, besohet se ka pësuar lëndime të vogla trupore nga ky sulm.

Zëdhënësit e reperit ende nuk kanë bërë deklaratë publike rreth rastit.

Mystical edhe në parë ka pasur probleme me ligjin. Në vitin 2017 ai u padit për përdhunim dhe kidnapim, por eventualisht akuzat ndaj tij u hodhën poshtë. Rasti gjyqësor u pezullua për shkak të mungesës së provave.

Në vitin 2003, Tyler u deklarua fajtor për disa krime tjera. Ai e kishte detyruar stilisten e tij të flokëve që të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe dy truprojat e tij.

Ai u lirua nga burgu në vitin 2010, pas vuajtjes së dënimit prej gjashtë vjetësh për sulm seksual dhe zhvatje. Dy vjet më vonë ai u kthye prapa grilave edhe për tre muaj, për shkak se i kishte thyer rregullat e lirimit me kusht.