Showbiz

Gjykatësi e merr një tjetër vendim në favor të Britney Spearsit

Një gjykatës në Kaliforni ka vendosur që Britney Spears nuk do të jetë e detyruar ta ndjekë seancën e radhës gjyqësore, në betejën e vazhdueshme ligjore me babanë e saj Jamie Spears. Kështu bëri të ditur avokati i këngëtares, Mathew Rosengart.

Babai i saj po ashtu do të duhet t’i dorëzojë në gjykatë të gjitha dokumentet e kërkuara, si dhe të jetë i pranishëm fizikisht në seancë.

Këtë vendim, Rosengart e quajti një tjetër fitore për klienten e tij.

“Britney e siguroi lirinë e saj në nëntor të vitit të kaluar dhe siç shumica prej jush e dinë tashmë, veçanërisht nga lajmet e kohëve të fundit, ajo është duke e vazhduar jetën dhe dëshiron të fokusohet në të ardhmen”, deklaroi Rosengart duke iu referuar martesës së këngëtares me Sam Asgharin. “Por ky burrë, që është babai i saj, nuk dëshiron ta lërë të qetë”, përfundoi ai.

CNN-i e ka kontaktuar avokatin e Jamie Spearsit për ta komentuar vendimin e fundit të gjykatësit, por nuk ka pranuar përgjigje. Ndërsa avokati i këngëtares 40-vjeçare, përmes një deklarate ka thënë: “Shpresojmë që Jamie do ta pranojë humbjen dhe thjeshtë do ta vazhdojë jetën dhe do ta lërë vajzën e tij rehat. Kështu do të vepronte një burrë i denjë apo një baba i mirë”.

Kujdestaria ligjore ndaj këngëtares së shpërblyer me çmim “Grammy”, zgjati plot 13 vjet. Gjatë asaj kohe, babai i Spearsit ishte përgjegjës për të gjitha vendimet në jetën e së bijës, duke filluar nga financat e deri tek vendimet personale dhe mjekësore. Babë e bijë ishin përballur disa herë në gjykatë, me ç’rast Britney e kishte akuzuar Jamien për keqpërdorim të autoritetit dhe rolit të tij si kujdestarë ligjorë.