Showbiz

Vdiq aktori Paul Sorvino në moshën 83-vjeçare

Aktori Paul Sorvino, rolet e së cilit ndryshonin nga bosi i mafisë në filmin “Goodfellas”, e deri te rreshteri i policisë së New Yorkut në serialin më të gjatë televiziv, “Law & Order”, ka vdekur në moshën 83-vjeçare. Lajmin e konfirmoi publicisti i tij, Roger Neal.

Megjithëse vjetëve të fundit Sorvino ishte ballafaquar me disa probleme shëndetësore, bëhet e ditur se ai vdiq nga shkaqe natyrore në klinikën “Mayo” në Jacksonville të Floridas, i rrethar nga familjarët e tij.

“Zemrat tona janë thyer. Paul ishte i pazëvendësueshëm dhe dashuria e jetës sime. Gjithashtu ai ishte një prej performuesve më të mëdhenj që e kanë hijeshuar ekranin dhe skenën”, thuhej në një deklaratë për media të lëshuar nga gruaja e tij, Dee Dee Benkie.

Sorvino i ka lënë prapa tre fëmijët nga martesa e tij e parë, përfshirë këtu vajzën Mira Sorvino, një aktore e shpërblyer me çmim “Oscar”. Ai po ashtu e ka bërë regjinë dhe ka luajtur në një film të shkruar nga vajza tjetër, Amanda Sorvino. Aktori ishte tejet krenarë me arritjet e fëmijëve të tij në fushën e kinematografisë.

I lindur në Brooklyn të New Yorkut, Paul Sorvino, e fitoi një nominim për çmim “Tony” për rolin e tij në shfaqjen “That Championship Season”, të cilin e kishte përsëritur edhe në versionin filmik, si dhe u angazhua në disa filma të suksesshëm hollywoodian si, “Nixon”, “Dick Tracy”, “Reds”, dhe “The Rocketeer”. Filmi i tij i parë ishte komedia e vitit 1970, “Where's Poppa”, ndërsa një vit më vonë u shfaq me rol në projektin “The Panic in Needle Park”, krahas yllit hollywoodian Al Pacino. Por nga publiku i gjerë, Sorvino më së miri do të mbahet në mend për rolin e shefit të mafisë në filmin e Martin Scorseses, “Goodfellas”.

Me një karrierë mbi 50-vjeçare në botën e teatrit, filmit dhe televizionit, Sorvino gjithmonë e ka pranuar se pasioni i tij i vërtetë ishin poezia, piktura dhe opera.