Showbiz

Spanja nderon Penelope Cruzin për kontributin në kinematografi

Descriptive Text

Aktorja latine me famë botërore, Penelope Cruz, e ka fituar një prej shpërblimeve më të rëndësishme të filmit në Spanjë, për kontributin e dhënë në kinematografi. Lajmi u bë i ditur të hënën (6 qershor) nga Ministria e Kulturës e Spanjës.

Juria e cila e ndau çmimin e sivjetmë, “National Cinema Award”, ishte unanime në vendimin e saj për ta nderuar yllin e lindur në Madrid, të cilën më pas, në një prononcim për media, e përshkroi si “një aktore ikonike, puna e së cilës e pasuron trashëgiminë kulturore të Spanjës”.

“E përkushtuar ndaj zanatit, ajo kërkon përsosmëri në punën e saj, çka ia ka mundësuar t’i krijojë disa prej personazheve më të paharrueshme në historinë e kinematografisë sonë”, shkruhej në deklaratën e jurisë.

Ky çmim është i fundit në listën e gjatë të vlerësimeve të Cruzit, nga shpërblimi “Oscar” të cilin e fitoi në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për filmin “Vicky Cristina Barcelona”, e deri te çmimet kryesore në Festivalet e Filmit në Kanë dhe Venecia, për performancat e shkëlqyera në projektet filmike, “Volver” dhe “Parallel Mothers”.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e uroi 48-vjeçaren Penelope Cruz, menjëherë pasi u bë i ditur lajmi se çmimi “National Cinema Award” i ndahet asaj, raportoi të hënën agjencia e lajmeve “AP”.

“Ajo është mishërimi i kinemasë spanjolle dhe ndërkombëtare”, shkroi Sánchez në një postim në Twitter, teksa e vlerësoi talentin e saj të pafund dhe performancat e jashtëzakonshme.

Në të kaluarën me këtë shpërblim prestigjioz janë nderuar yje të tillë si, Antonio Banderas dhe Isabel Coixet.