Showbiz

Fondacioni i Travis Scottit financon bursa për studentët

Fondacioni i Travis Scottit ka dhuruar bursa në vlerë prej 1 milion dollarësh për studentët e kolegjeve dhe universiteteve që u shërbejnë komuniteteve të afrikano-amerikanëve.

Fondacioni “Cactus Jack” ka dhuruar të holla për 100 anëtarë të klasës së diplomimit të vitit 2022, duke ua shpërndarë nga 10 mijë dollarë studentëve gati për të diplomuar të cilët kanë arritur përsosmëri akademike ndërsa përballen me vështirësi financiare, raportoi të mërkurën portali “Female”.

31-vjeçari Scott, i cili e ka vajzën Stormi dhe djalin tre muajsh me yllin televiziv Kylie Jenner, tha: “Përsosmëri ka me bollëk në çdo familje afrikano-amerikane, por shumë shpesh mundësitë nuk ndodhin dhe studentët lihen pas ose përjashtohen tërësisht. Kështu që unë dhe familja ime vendosëm ta ndryshonim këtë realitet. I urojmë 100 pranuesit e bursës së këtij viti. E di që do të shohim gjëra të shkëlqyera prej tyre dhe mezi presim ta shtojmë punën dhe angazhimin tonë në vitet e ardhshme”.

Fondacioni “Cactus Jack” u themelua për t’i pasuruar jetët e të rinjve duke u ofruar akses në arsim dhe burime krijuese.

Së fundmi, reperi i famshëm amerikan e paralajmëroi një iniciativë të re të quajtur “Project HEAL”, përmes së cilit do t’i dhurojë 5 milionë dollarë për komunitetet.

Sipas një përshkrimi në uebfaqe, “Project HEAL” është një iniciativë me shumë nivele e dedikuar për adresimin e sfidave me të cilat përballen të rinjtë e sotëm, veçanërisht ata nga komunitetet e margjinalizuara dhe të rrezikuara. Iniciativat që do të financohen përmes projektit përfshijnë bursa akademike, burime të shëndetit mendor, një qendër dizajni krijues dhe të tjerë.

Të dielën (15 maj), Scott interpretoi në skenën e ceremonisë “Billboard Music Awards”. Performanca live e shënoi paraqitjen e tij të dytë televizive, prej tragjedisë e cila ndodhi në festivalin e tij muzikor, “Astroworld”, në nëntor të vitit të kaluar dhe ku mbetën të vdekur 10 persona dhe qindra të tjerë pësuar lëndime. Incidenti në fjalë e ka mbajtur Scottin dhe familjen e tij, larg vëmendjes së publikut për ca kohë.

Kylie Jenner dhe Stormi Webster, e shoqëruan reperin në këtë ngjarje, për t’i dhënë përkrahje në rikthimin e tij të ngadalshëm në skenën e muzikës.

Image