Showbiz

Festivali “Eurovision” ishte shënjestruar nga hakerët prorusë

Hakerët prorusë kanë tentuar ta prishin votimin për garën muzikore “Eurovision”, ka thënë policia italiane, përcjell BBC-ja.

Ukraina e fitoi garën e sivjetme falë mbështetjes së madhe nga votat e publikut. Rusia ishte përjashtuar nga pjesëmarrja në këtë ngjarje shkaku i pushtimit të këtij shteti.

Policia e Italisë, ku u mbajt festivali i këtij viti, ka deklaruar se grupi i hakerëve i njohur me emrin “Killnet” e kishte shënjestruar gjysmëfinalen e parë, ku performuan artistët ukrainas si dhe finalen e madhe të së shtunës (14 maj).

Por, ata bënë të ditur se divizioni i tyre i sigurisë kibernetike i bllokoi sulmet.

“Disa sulme kompjuterike që synonin infrastrukturat e rrjetit gjatë procesit të votimit dhe performancave, u zbuluan dhe penguan nga ekspertët tanë kibernetik”, thuhet në deklaratën e Policisë italiane.

Grupi ukrainas “Kalush” e fitoi garën e këngës më të mirë evropiane, me këngën e titulluar “Stefania”. Pjesa më e madhe e votave të publikut shkuan për këtë performancë, dhe gjithçka u finalizua kur votat e shikuesve u kombinuan me rezultatet nga juritë kombëtare.

Ndërkohë, organizatorët e “Eurovisionit” po ashtu kanë bërë të ditur se kishte “modele të parregullta votimi” mes jurive nga gjashtë shtete.

Kjo do të thotë se në gjysmëfinalen e dytë dhe në finalen e madhe, rezultatet e jurisë nga ato vende u zëvendësuan me një rezultat të përgjithshëm zëvendësues, i llogaritur nga organizatorët bazuar në rezultatet e vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, Sam Ryder, ishte favorit në mbrëmjen finale për të fituar bazuar në votat e jurisë, por u mund nga Ukraina kur u shtuan edhe votat e publikut.

Vendi i dytë në “Eurovision” është rezultati më i mirë për Britaninë e Madhe nga viti 1998, dhe erdhi një vit pasi ky shtet përfundoi në pozitën e fundit të kësaj gare muzikore me asnjë votë të fituar.

Në një intervistë për “BBC Radio” të realizuar të hënën (16 maj) me t’u rikthyer në Britani të Madhe, Ryder deklaroi: “Kam ndier shumëçka, inkurajim, mbështetje dhe dashuri nga bashkëvendësit e mi. Dhe jo vetëm në vendlindje, por në komunitetin e Eurovizionit në përgjithësi, sepse aty ka shumë dashuri. Të ulesh në atë arenë është si të jesh në një kishë, është thjeshtë e pabesueshme. Nuk mund ta shpjegoj dhe nuk di ta përshkruaj në mënyrë të drejtë, ndjenjën që e përjeton kur je pjesë e kësaj ngjarjeje. Por, interpretimi në atë skenë të bënë të besosh në gjithçka. T’i besosh aftësive tua dhe eksperiencës në këndim, ta shijosh muzikën dhe t’i përjetosh të gjitha emocionet që vijnë me performancën”.

Shqipëria këtë vit u përfaqësua nga Ronela Hajati dhe kënga e saj “Sekret”, por fatkeqësisht nuk arriti ta kalojë gjysmëfinalen e parë duke u eliminuar përfundimisht nga gara për këngën më të mirë evropiane.