Showbiz

Netflixi anulon serialin e animuar të dukeshës Meghan Markle

Seriali i planifikuar për fëmijë i dukeshës së Sussexit, Megan Markle, nuk do të realizohet. 

Platforma e famshme digjitale e ka anuluar projektin e ardhshëm të aktores së shndërruar në dukeshë, për shkak të shkurtimeve buxhetore pas rënies së numrit të abonentëve, raportoi të hënën portal “Deadline”.

Projekti televiziv do ta shtjellonte historinë e një vajzë 12-vjeçare e cila e fillon rrugëtimin për ta zbuluar veten. Tregimi ishte inspiruar nga trashëgimia e grave të famshme në histori.

David Furnish, bashkëshorti i muzikantit Elton John, ishte producenti ekzekutiv i serialit i cili po realizohej nga “Archewell Productions”. Ky është produksioni të cilin aktorja dhe burri i saj Harry e krijuan pas largimit nga familja mbretërore britanike. 

Edhe disa seriale tjera të animuara janë anuluar nga Netflixi, duke pasur parasysh problemet financiare me të cilat po përballet. Kompania ka humbur gati gjysmën e vlerës nga paralajmërimi se abonentët e saj po largoheshin nga kjo platformë. Kjo ka ndodhur për shkak të vendimit të platformës gjigante në fillim të muajit mars, për të pezulluar shërbimin në Rusi si pasojë e pushtimit të Ukrainës. 

Me këtë humbje të rrallë për kompaninë, aksionet e saj kanë rënë për 23 për qind.