Showbiz

Vazhdon gjykimi që po merr vëmendje të madhe në publik

Descriptive Text

Johnny Depp dhe Amber Heard arritën në gjykatë të hënën (25 prill), ku po shqyrtohet padia për shpifje e Deppit kundër ish-gruas së tij.

Aktori i famshëm hollywoodian deri më tani ka dhënë dëshmi për tri ditë, derisa rasti gjyqësor është shndërruar në një spektakël të vërtetë dhe po e tërheq vëmendjen e një numri të madh të publikut, raportoi të martën agjencia e lajmeve AP-ja.

Në seancën e fundit gjyqësore, Depp rrëfeu për shumë gjëra, duke filluar nga përdorimi i qetësuesve si fëmijë, konsumimi i drogave dhe thyerja mentale që aktori e kishte pësuar, siç pohoi, për shkak të abuzimeve dhe gënjeshtrave të vazhdueshme nga ish-gruaja, Amber Heard.

Aktorja e filmit “Aquaman” e ka akuzuar Deppin për sulm fizik dhe seksual në disa raste, para dhe gjatë martesës së tyre të shkurtër, ngjarje këto që shpesh kishin ndodhur gjatë kohës sa aktori ishte nën ndikimin e alkoolit. Ky i fundit thotë se akuzat e Heardit për abuzim me substance janë të ekzagjeruar dhe se ai kurrë nuk e kishte humbur kontrollin gjatë asaj periudhe.

Gjatë kohës sa Depp po e jepte dëshminë e tij, avokatët e Heardit e pyetën për mesazhet që ai ua kishte dërguar miqve ku diskutonte për gjendjen e tij mendore, problemet e vazhdueshme me gruan dhe faktin se kishte konsumuar sasi të mëdha të alkoolit dhe drogave, në një kohë kur ai pohon që nuk ishte konsumues i rregullt i tyre. Aktori u përgjigj duke thënë se ai nuk e kishte lënduar veten qëllimisht siç deklaron Amber, dhe se drogat dhe alkoolin i konsumonte për ta përballuar abuzimin që gruaja po ja bënte atëkohë.

Një tjetër çështje të cilën avokatët e Heardit e diskutuan përpara gjykatës, ishin mesazhet tjera në të cilat Depp e kishte kërcënuar aktoren të mos shkonte në takime pune dhe të mos i pranonte disa role filmike. Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean” i mohoi akuzat se e ka penguar karrierën e ish-gruas së tij dhe se në momentin kur i kishte dërguar mesazhet, thjesht ishte hidhëruar ngase ata kishin bërë plane të bëjnë diçka së bashku. Deklaroi po ashtu se ambiciet e aktores ishin shumë më të mëdha sesa dashuria për të.

Arsyeja e padisë së ngrehur nga Depp kundër Heardit kryesisht fokusohet në akuzat për shpifje dhe dëmtim të karrierës së aktorit, pas artikullit të cilin ajo e kishte shkruar në vitin 2018 për gaztën “The Washington Post”, ku ajo i referohej vetes si personazh publik që përfaqëson abuzimin në familje. Edhe pse Heard nuk e kishte përmendur emrin e tij asnjëherë, avokatët e aktorit thonë se ishte e qartë që ajo po i referohej Deppit.

Ylli i kinematografisë insiston që akuzat nga ish-gruaja dhe artikulli në fjalë, e kanë shndërruar atë në person të padëshiruar në Hollywood dhe kanë bërë që ai ta humb rolin më të madh të karrierës, atë në filmat “Pirates of the Caribbean”.

Avokatët e Heardit thonë se opinioni i klientes së tyre në këtë artikull ishte i saktë dhe nuk i kishte bërë dëm famës së aktorit. Ata pohojnë se reputacioni i shkatërruar i Deppit vjen si pasojë e sjelljeve të tij të këqija.

Amber Heard pritet ta jap dëshminë e saj nga fundi i këtij procesi të gjykimit.