Showbiz

Britney Spears paralajmëron fansat se po largohet nga mediat sociale për ca kohë

Mund të kalojë ca kohë para se të shohin përditësime të shtatzënisë dhe postime të reja të Britney Spearsit në Instagram.

Ylli i muzikës pop i ka informuar fansat e saj se po largohet për pak kohë nga rrjetet sociale, raportoi të hënën portali “Billboard”.

“Po pauzoj për pak kohë nga rrjetet sociale. Ju dërgoj shumë dashuri dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve”, kishte shkruar Spears në postimin e saj të fundit, të dielën (24 prill).

Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja merr vendimin për t’u larguar nga qendra e vëmendjes së publikut. Por zakonisht mungesa e saj në mediat sociale nuk zgjat shumë, pasi kjo është një ndër mënyrat e vetme që Spears e ka për të komunikuar me adhuruesit dhe përkrahësit e saj.

Më 11 prill të këtij viti, 40-vjeçarja Spears e bëri të ditur lajmin se është në pritje të fëmijës së parë me të fejuarin Sam Asghari.

Njëherësh, kjo është shtatzënia e tretë e këngëtares. Ajo i ka djemtë, Sean dhe Jaden, nga martesa me valltarin Kevin Federline.

Pak muaj më parë u bë i ditur lajmi se ylli i hitit “Toxic” po i bën hapat e parë drejt rikthimit në skenën e muzikës. Burime të afërta me këngëtaren e konfirmuan për mediat e huaja se ekipi i saj tashmë u është drejtuar bashkëpunëtorëve të zakonshëm, për të punuar në projekte të reja muzikore. Pritet të shihet nëse planet e rikthimit në skenë do të mbesin pezull, tani që Separs është në pritje të fëmijës.

Britney i publikoi 4 albume sa ishte në kujdestarinë ligjore, por në vitin 2019 ajo filloi ta refuzojë punën në projekte të reja. Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo tha se tërheqja nga muzika ishte një formë hakmarrjeje ndaj familjes që për 13 vjet ia ka kontrolluar çdo aspekt të jetës, duke përfituar nga situata e saj edhe pasuri milionadollarëshe.