Showbiz

Publikohen pamjet e para të filmit “Thor: Love and Thunder”

Superheroi Thor është rikthyer. Traileri i parë i filmit të ardhshëm, “Thor: Love and Thunder”, u lansua të hënën (18 prill), duke ju ofruar fansave një shikim të shpejtë të asaj që ka ndodhur me personazhin e tyre të preferuar, pas ngjarjeve që zënë vend në filmin e vitit 2019, “Avengers: Endgame”.

Në pamjet e para të filmit të bazuar në Universin Kinematik Marvel, Thor shihet në shoqërinë e superheronjëve të filmave “Guardians of the Galaxy” dhe personazhit të ri, Zeus, i personifikuar në film nga ylli hollywoodian, Russell Crowe.

Ky është filmi i katërt që e sjell aktorin australian, Chris Hemsworth, në rolin e heroit të dashur të botës, Thor. Si regjisor rikthehet, Taika Waititi, i cili e ka realizuar vazhdimin e vitit 2017, “Thor: Ragnarok”, raportoi të martën portali “CNet”.

Disa nga fytyrat tjera të njohura për publikun që do të rikthehen me rolet e tyre në film, janë: Tessa Thompson, Natalie Portman dhe Chris Pratt. Ndërsa, yjet e rinj që i bashkohen kastës së aktorëve të këtij vazhdimi janë, Russell Crowe, Christian Bale, Matt Damon, Melissa McCarthy dhe të tjerë.

“Thor: Love and Thunder” lansohet nëpër kinema më 8 korrik 2022.