Showbiz

Fundjavë e mbushur me yje në festivalin “Coachella”

Befasitë nuk reshtën së mbaruari në tri ditët e para të festivalit “Coachella”.

Adhuruesit e mbledhur për këtë ngjarje, patën rastin t’i ndjekin performancat fantastike 'live' të idhujve të tyre, si The Weeknd, Justin Bieber, Snoop Dogg, Doja Cat dhe të tjerë.

Nata e parë e festivalit, të premten (15 prill), u hap me performancën fantastike të këngëtarit britanik, Harry Styles. Ai i befasoi adhuruesit e pranishëm me të ftuar në skenë yllin legjendar të muzikës, Shania Twain. Dyshja e interpretoi hitin ikonik të Twainit, “Man, I Feel Like A Woman” dhe turma e mirëpriti këtë befasi me brohoritje e duartrokitje të vazhdueshme, raportoi të hënën portali “NME”.

Ndër performuesit e tjerë që e entuziazmuan turmën jashtëzakonisht shumë, ishin Justin Bieber dhe Snoop Dogg, të cilët i bashkuan forcat në skenë me artistët, Daniel Caesar dhe Anitta.

Edhe Big Sean e mahniti turmën e adhuruesve me ta ftuar në skenë këngëtaren, Jhene Aiko, e cila njëherësh është e dashura e tij.

 

 

Në natën e dytë ishte këngëtarja, Billie Eilish, ajo e cila e rrëmbeu vëmendjen e publikut me performancën e saj. Ajo po ashtu u bë artistja më e re në moshë që ka performuar në skenën e festivalit “Coachella”.

Eilish i interpretoi disa prej hiteve të saja më të njohura, e shoqëruar nga bendi dhe vëllai i saj, Finneas. Në një moment gjatë mbrëmjes, këngëtarja 20-vjeçare e ftoi në skenë vokalistin e grupit “Gorillaz”, Damon Albarn, me të cilin i performoi disa këngë, përfshirë këtu edhe hitin, “Feel Good Inc.”. Khalid ishte artisti tjetër i cili iu bashkua Eilishit në skenë për ta interpretuar këngën e tyre të përbashkët, “Lovely”.

Në fund të performancës së saj, Billie Eilish, e shfrytëzoi rasti për t'i falënderuar adhuruesit e saj duke thënë: “Kjo është një ndjenjë e çuditshme. Unë nuk duhet të isha këtu si performuesja kryesore e mbrëmjes. Por, për këtë ju falënderohem juve dhe ndihem mirënjohëse që jam këtu bashkë me të gjithë ju. Kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet për mua. Një çmenduri e vërtetë”.

Nata e dytë gjithashtu e shënoi debutimin e reperes Megan Thee Stallion, në festivalin e famshëm të Kalifornisë. Ajo nuk i zhgënjeu fansat e saj duke i interpretuar disa prej hiteve më të njohura, përfshirë edhe një këngë të re të padëgjuar më parë.

 

 

Nata e tretë i takoi këngëtarit kanadez The Weeknd, grupit “Swedish House Mafia” dhe rep artistes, Doja Cat. Ata ishin ndër performuesit kryesorë të mbrëmjes dhe u kujdesën që ta argëtonin publikun me interpretimet fantastike të hiteve të tyre më të njohura. Edhe muzika latine ishte pjesë e rëndësishme e kësaj mbrëmjeje me interpretimin fantastik të yllit, Karol G.

Festivali i njohur i muzikës “Coachella” vazhdon edhe fundjavën e ardhshme. Fansat kanë mundësi të argëtohen me interpretimet live të idhujve të tyre, nga 22 deri më 24 prill kur edhe përmbyllet festivali.