Showbiz

Prindërit e këngëtares Miley Cyrus po ndahen pas 28 vjetësh martesë

Nëna e këngëtares së famshme Miley Cyrus, Tish, ka bërë kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti, Billy Ray Cyrus, pas 28 vjetësh martesë.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga uebfaqja për të famshëm “TMZ”, aktorja dhe producentja 54-vjeçare ka bërë kërkesë për shkurorëzim javën e kaluar në Tennessee, duke i dhënë fund martesës pothuajse 3-dekadëshe me legjendën e muzikës country, Billy Ray, raportoi të martën portali “Female”.

Tish ka deklaruar se ajo dhe Billy nuk jetojnë bashkë për më shumë se dy vjet. Tutje, nëna e pesë fëmijëve ka bërë kërkesë që pronat e tyre martesore të ndahen në mënyrë të barabartë.

Kjo nuk është hera e parë që çifti i njohur i showbizit përjeton krizë martesore. Në vitin 2010, ishte Billy Ray ai i cili bëri kërkesë për shkurorëzim, por më pas u pendua. Tre vjet më vonë, Tish e bëri të njëjtën gjë, por pa sukses, pasi çifti vendosi t’i rregullojë problemet dhe ta shpëtojë martesën edhe njëherë.

Tish dhe Billy Ray i kanë pesë fëmijë së bashku, Noah, Braison, Miley, Trace dhe Brandi. Që të gjithë fëmijët e tyre janë të rritur, kështu që procesi i shkurorëzimit besohet se do të jetë më i lehtë, pasi nuk kanë nevojë të shtyhen për kujdestarinë e fëmijëve.

Çift u martua në vitin 1993 në Tennessee.

Para dy vjetëve, edhe vajza e tyre Miley Cyrus i dha fund martesës me Liam Hemsworthin.