Showbiz

Dua Lipa dhe Katy Perry pritet të bashkëpunojnë në një këngë të re

Dyshja e njohur e muzikës pop, Dua Lipa dhe Katy Perry, thuhet se do ta realizojnë një këngë së bashku, raportoi të hënën portal “NME”.

Besohet se në të kaluarën, Lipa e kishte refuzuar mundësinë për të marrë pjesë në këngën e Perryt, “Teary Eyes”, e cila ishte pjesë e albumit të saj të fundit të incizuar në studion “Smile”.

Më pas, ylli i hitit “Levitating” dëshironte që këngëtarja amerikane të bëhej pjesë e projektit të saj me titull, “Ball & Chain”, këngë kjo e papublikuar e albumit “Future Nostalgia”, por atëkohë, Perry ishte shumë e angazhuar me punë dhe nuk gjeti kohë për ta incizuar pjesën e saj.

Gazetës “The Sun”, një burim i bëri të ditur se, Lipa dhe Perry, janë adhuruese të njëra-tjetrës dhe po shpresojnë që së shpejti të ndodhë bashkëpunimi muzikor.

“Deri më tani, problemi kryesor ka qenë orari i ngjeshur i këngëtareve, dhe fakti se Dua ishte e vendosur që albumin, ‘Future Nostalgia’, ta sjellë pa bashkëpunime. Por, tani ajo po shikon nga e ardhmja dhe ka shumë njerëz me të cilët dëshiron të punojë në këngët e reja”, tha burimi.

Dua Lipa së fundmi e zbuloi se 50 për qind e albumit të saj të ardhshëm është përfunduar dhe ka filluar të ndihet mirë me materialet e incizuara deri më tash.

“Albumi i tretë po merr formë. Jam shumë e emocionuar për disa prej këngëve të reja”, tha Lipa gjatë një bashkëbisede me muzikantin legjendar, Elton John, me të cilin ka bashkëpunuar në këngën e tij remix, “Cold Heart”.

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, gjatë verës do të performojë në një prej festivaleve më të mëdha, “Lollapalooza”.

Para tri javësh u lansua bashkëpunimi i Lipës me yllin e muzikës rep, Megan Thee Stallion. Kënga me titull “Sweetest Pie” u shoqërua me një videoklip interesant dhe u mirëprit nga fansat e artisteve anembanë globit.

Të dielën (3 prill), Dua dhe Megan, u shfaqën së bashku në skenën e ceremonisë “Grammy”, ku e prezantuan një çmim. Ato shkëlqyen të veshura nga disenjatorja, Donatella Versace.

{gallery}