Showbiz

Akademia “Oscars” shumë shpejt me masë disiplinore ndaj Will Smithit

Descriptive Text

Akademia e çmimeve “Oscars” mund të ndërmarrë së shpejti masa disiplinore ndaj aktorit Will Smith, për shkak të shuplakës që i ka dhënë aktorit tjetër, Chris Rock, gjatë ceremonisë së 94-t të ndarjes së çmimeve për film, që u zhvillua të dielën në Los Angeles.

Njoftimi është bërë i ditur të enjten nga Akademia, e cila e ka pranuar se do të duhej ta kishte trajtuar situatën më ndryshe, raporton revista “People”.

"Gjërat u shpalosën në një mënyrë që nuk mund ta parashikonim", thuhet në një deklaratë për “People”.

Akademia po ashtu ka bërë të ditur se Will Smithit i ishte kërkuar që të largohej nga ceremonia e “Oscars” pas shuplakës që i ka dhënë kolegut të tij, Chris Rock, mirëpo ai ka refuzuar ta bënte këtë.

“Ndërsa ne dëshirojmë të sqarojmë se z. Smith iu kërkua të largohej nga ceremonia dhe refuzoi, ne gjithashtu e kuptojmë se mund ta kishim trajtuar situatën ndryshe”, thuhet në deklaratë.

Përveç kësaj, Akademia ofroi një pasqyrë të rrjedhës së veprimit të ndërmarrë kundër aktorit 53-vjeçar të filmit “King Richard”, i cili mori në shtëpi “Oscarin” për aktorin më të mirë pas incidentit me Rockun.

“Bordi i Guvernatorëve filloi sot procedimin disiplinor kundër z. Smith për shkelje të standardeve të sjelljes së Akademisë, duke përfshirë kontaktin fizik të papërshtatshëm, sjelljen abuzive ose kërcënuese dhe cenimin e integritetit të Akademisë”, thuhet me tej në deklaratë.

Akademia po ashtu ka bërë të ditur se në mbledhjen e radhës të bordit, që do të mbahet më 18 prill, "mund të ndërmarrë çdo masë disiplinore, e cila mund të përfshijë pezullim, përjashtim ose sanksione të tjera të lejuara nga aktet nënligjore dhe standardet e sjelljes", ndaj Smithit.

Në deklaratë, Akademia gjithashtu i kërkoi falje aktorit Chris Rock, 57 vjeç, të gjithë të pranishmëve në ngjarjen e së dielës dhe atyre që e shikuan nga shtëpia.

"Veprimet e z. Smith në Oscarsin e 94-t, ishin ngjarje thellësisht tronditëse, traumatike për t'u përjetuar personalisht dhe nga televizioni. Z. Rock, ju kërkojmë falje për atë që përjetuat në skenën tonë dhe ju falënderojmë për qëndrueshmërinë tuaj në atë moment. Ne gjithashtu kërkojmë falje për të nominuarit, të ftuarit dhe shikuesit tanë për atë që ndodhi gjatë asaj që duhet të ishte një ngjarje festive”, përfundon deklarata e Akademisë së çmimeve prestigjioze “Oscars”.

Will Smith i ka kërkuar falje aktorit Chris Rock, Akademisë dhe të tjerëve për skenën shokuese kur ai goditi me shuplakë Rockun. Ky veprim i Smithit ka ardhur pas shakasë së Rokut për flokët e bashkëshortes së Smithit, Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga sëmundja e alopecisë. Kjo sëmundje shkakton rënien e flokëve.

{gallery}