Showbiz

Dua Lipa ka bërë gati 50% të albumit të ri

Dua Lipa ka nisur të shpërndajë më shumë informacione rreth albumit të saj të ardhshëm, që do të jetë edhe albumi i tretë me radhë.

Këngëtarja nga Kosova me famë botërore, është shprehur e entuziazmuar që albumi i radhës po merr formë dhe se tashmë “50% e tij është gati”, shkruan të mërkurën revista “Hola!”.

Artistja 26-vjeçare, e cila do të performojë këtë verë në një prej festivaleve më të mëdha, Lollapalooza, ka folur së fundmi në podcastin e saj “At Your Service”.

Dua ka thënë se muzika e saj e re “po merr formë të mirë”

“Jam shumë e entuziazmuar për disa prej këngëve, kështu që është gjithmonë ngazëlluese të punosh diçka të re”, është shprehur Dua, që është fituese e trefishtë e çmimit “Grammy”.

Dua ka pasur sukses të madh me albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”, dhe fansat tashmë kanë filluar të flasin rreth albumit të tretë, duke e paramenduar edhe drejtimin e tij marrë parasysh bashkëpunimin e këngëtares me reperen e famshme amerikane, Megan Thee Stallion.