Showbiz

Rita Ora nuk e refuzon idenë e shpërnguljes së përhershme në Australi

Foto: AP/Associated Press

Pop ylli botëror, Rita Ora, u takua me të dashurin e saj regjisor, Taika Waititi, në Australi. Dhe tani, këngëtarja 31-vjeçare thotë se nuk e refuzon idenë e shpërnguljes së përhershme atje, raportoi të hënën portali “Female”.

Në një intervistë të fundit për revistën “Harper’s Bazaar Australia”, Rita u pyet nëse do të zhvendosej për të jetuar në këtë shtet, me ç’rast u përgjigj: “Kush e di? Rikthimi në Australi nuk është i pamundur për mua. Unë vërtet e kam shijuar jetën këtu dhe kam krijuar miq të mirë. Kurrë mos thuaj kurrë. Definitivisht nuk është një ide të cilën do ta refuzoja”.

Viteve të fundit, Ora ka kaluar kohë të gjatë në Sydney duke e xhiruar emisionin “The Voice” dhe tashmë ndihet rehat dhe e ka krijuar një lidhje të afërt me Australinë.

Këngëtarja e hitit “Hot Right Now”, e cila u lind në Kosovë, por u rrit në Britani të Madhe, për “Harper’s Bazaar” deklaroi: “Unë gjej qetësi shpirtërore në këtë vend dhe më pëlqen të kem mundësi të shkoj në plazh për të lexuar. Është vërtet bukur kur e gjen ndjenjën e shtëpisë dhe rehatisë në një vend të huaj. Po ashtu i dua shumë njerëzit këtu, sepse janë shumë të sjellshëm, të dashur dhe thjesht ndihem e pranuar dhe e lirë këtu. Definitivisht e kam një lidhje të afërt me Australinë”.

Gjatë muajve të fundit, Rita dhe Taika kanë filluar të bashkëjetojnë në Los Angeles. Një burim i afërt me çiftin ka deklaruar se regjisori 46-vjeçar ka mundësi që së shpejti t’i propozojë martesë këngëtares dhe aktores së famshme.

Miqtë e Orës po ashtu mendojnë se Waititi ka pasur ndikim tejet pozitiv në jetën dhe karrierën e pop yllit.

Dyshja e njohur e showbizit u shfaq përkrah njëri-tjetrit në të dielën mbrëma në ndejën “Vanity Fair Oscar Party”. Ata dukeshin elegantë dhe mjaft të dashuruar gjatë parakalimit mbi qilim të kuq.

{gallery}