Showbiz

Daisy Edgar Jones protagoniste e filmit të ri “Where the Crawdads Sing”

Studioja filmike “Sony” e ka lansuar trailerin zyrtar të filmit, “Where the Crawdads Sing”, i cili vjen nëpër kinema gjatë verës së këtij viti. Filmi bazohet në romanin ‘bestseller’ me të njëjtin emër, të autores amerikane Delia Owens.

Në projektin e zhanrit fantastik, aktorja britanike, Daisy Edgar Jones, e portretizon një grua të re e cila jeton në kënetat e Karolinës Veriore dhe përfundon duke u akuzuar për vrasje.

“Where the Crawdads Sing” është prodhim i kompanisë filmike të yllit Reese Witherspoon, “Hello Sunshine”. Aktorja hollywoodiane e kishte lexuar librin, mbi të cilin bazohet filmi, në vitin 2018 dhe kishte menduar se ishte një histori që ia vlen të ekranizohet, raportoi të mërkurën agjencia “AP”.

Edhe ylli i muzikës, Taylor Swift, i ka informuar fansat se kënga e saj e re me titull, “Carolina”, do të jetë kolonë zanore e filmit të ardhshëm. Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja deklaroi se është adhuruese e romanit.

Filmi “Where the Crawdads Sing” do të debutojë nëpër kinema më 15 korrik 2022.