Showbiz

Aktorja Rachel Zegler nuk është ftuar në ceremoninë “Oscar”

Foto: AP/Associated Press

Ylli i filmit “West Side Story”, Rachel Zegler, nuk është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve akademike e cila mbahet më 28 të këtij muaji.

20-vjeçarja megjithëse është një aktore e re në Hollywood, ajo e luan rolin protagonist të Maria Vasquezit, në projektin e ripërpunuar të regjisorit të famshëm, Steven Spielberg.

Drama muzikore “West Side Story”, këtë vit garon në shtatë kategori për çmimet “Oscar”, përfshirë këtu kategorinë kryesore “Filmi më i mirë”, prandaj publiku ka mbetur i habitur për faktin se aktorja kryesore e tij nuk ka pranuar ftesë për ta përcjell ngjarjen më të rëndësishme të kinematografisë, raportoi të marten portali "Female".

Gjatë fundjavës, një adhurues i entuziazmuar e pyeti Zeglerin në Instagram se çfarë planifikon të veshë në ceremoninë glamuroze, dhe aktorja u përgjigj: “Nuk jam e ftuar në ceremoni, prandaj sigurisht se do ta ndjekë atë nga ekrani, e veshur me pantallona sportive dhe fanellën e të dashurit tim”.

Tutje, aktorja e shpërblyer me çmimin “Globi i Artë” e shpjegoi se ka provuar ta sigurojë një ftesë për këtë ngjarje, por fatkeqësisht nuk pati sukses. Megjithëkëtë, ajo vazhdon të bëjë tifo për filmin me buxhet të lartë të regjisorit të shumëshpërblyer, Spielberg. Gjithashtu po shpreson të ndodhë ndonjë mrekulli në minutat e fundit.

“Kam provuar ta siguroj një ftesë për ceremoninë e ardhshme por nuk duket se do të ndodhë kjo gjë. Unë do të vazhdoj të bëjë tifo për filmin edhe nga shtëpia, dhe të jem krenare për punën e mrekullueshme që e kemi bërë para 3 vjetëve. Shpresoj të ndodhë ndonjë mrekulli në minutën e fundit dhe unë të kem mundësi ta festoj filmin tonë nga vendi i ngjarjes, por nganjëherë gjërat ndodhin kështu. Ju falënderojë për përkrahjen të gjithëve, edhe unë jam e zhgënjyer që nuk do të jem pjesë e ceremonisë, por gjithçka është në rregull. Përfundimisht jam shumë krenare me filmin tonë”.

Në filmin “West Side Story”, Ansel Engort dhe Rachel Zegler, i portretizojnë dy të rinj që bien në dashuri më New Yorkun e viteve ’50. Pjesë e kastës së aktorëve të përfshirë në këtë projekt janë edhe: Ezra Menas, Julius Anthony Rubio, Ana Isabelle, Brian d’Arcy James, Corey Stoll dhe të tjerë.