Showbiz

Charli XCX dëshiron që Julia Fox të jetë protagoniste e videoklipit të saj

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i muzikës, Charli XCX, dëshiron që aktorja Julia Fox të jetë protagoniste e videoprojektit të saj të ardhshëm.

Të premten e kaluar, ylli i hitit “Baby” u pyet nga një ndjekës në Twitter nëse do të pranonte të bashkëpunonte me aktoren e filmit, “Uncut Gems”, e cila së fundmi u bë lajm i mediave botërore për lidhjen e shkurtër romantike me reperin, Kanye West dhe Charli iu përgjigj, duke treguar se ajo tashmë ka shprehur interesim për ta angazhuar Julian në videoklipin e saj të ri muzikor.

“Në fakt unë i kam dërguar mesazh një personi rreth idesë për angazhimin e Julias, si protagoniste në videoklipin tim të radhës. Unë jam e obsesionuar pas saj. Ajo është vërtetë një legjendë”, deklaroi këngëtarja.

Image
Julia Fox

29-vjeçarja, Charli XCX, të premten më 18 mars e publikoi albumin e ri me titull, “CRASH”, dhe në një intervistë të fundit kishte deklaruar se ka filluar ta sfidojë veten më shumë, sidomos kur vjen puna te realizimi i videoklipeve.

Ylli i hitit “Boom Clap” i ka ngacmuar fansat e saj duke treguar se çfarë mund të presin nga albumi i ri që vjen pas atij të vitit 2020, “How I’m Feeling Now”, dhe sipas këngëtares, këngët e reja do t’i bëjnë njerëzit të kërcejnë dhe të qajnë.

“I gjithë albumi flet për seksin dhe seksualitetin. Mund t’i bëjë njerëzit të qeshin e vallëzojnë si dhe të qajnë në të njëjtën kohë. Është një projekt plot ndjenjë”.

Gjatë realizimit të albumeve ndër vite, këngëtarja britanike është argëtuar me përzierjen e zhanreve muzikore, por tani përfundimisht dëshiron të krijojë muzikë pop.

Charli XCX shquhet për hite të shumta muzikore, si “Break the Rules”, “1999” dhe “Doing It”, një bashkëpunim ky shumë i suksesshëm i këngëtares me pop yllin me prejardhje kosovare, Rita Ora.