Showbiz

Daddy Yankee po pensionohet nga muzika

Foto: AP/Associated Press

Ylli i muzikës latine, Daddy Yankee, po planifikon të pensionohet nga muzika. Reperi i hitit “Gasolina”, të cilin shpesh publiku e konsideron si mbretin e muzikës reggaeton, po e dorëzon mikrofonin pas një karriere tri dekadëshe, lansimit të tetë albumeve të incizuara në studio, përfshirë këtu edhe albumin “Legendaddy”, i cili lansohet më 24 mars të këtij viti dhe turneut të tij të fundit që ka për qëllim promovimin e këtij projekti.

Përmes një deklarate të publikuar të hënën në platformën YouTube, ylli 45-vjeçar nga Puerto Rico, emri i vërtetë i të cilit është Ramon Luis Ayala Rodriguez, tha: “Kjo garë, që ka qenë një maratonë e vërtetë, më në fund është drejt përfundimit. Tani do të mundohem ta shijoj atë që ju fansat e mi ma keni ofruar. Njerëzit thotë se e kam bërë të famshëm këtë zhanër të muzikës anembanë botës, por ishin ju ata që ma mundësuat ta arrij këtë sukses”.

Albumi lamtumirës i Yankees do të jetë një shkrirje e të gjitha stileve muzikore që e kanë karakterizuar karrierën e tij.

“Në një album të vetëm do t’ua ofroj të gjitha stilet e muzikës që më kanë karakterizuar ndër vite. ‘Legendaddy’ është një incizim që flet për betejat e jetës, argëtimin, luftën dhe romancën”, shtoi tutje reperi.

Ylli i njohur i muzikës i ka më shumë se 30 milionë albume të shitura. Ai më së miri njihet për hitin e vitit 2004, “Gasolina”, që u bë kënga e parë e zhanrit reggaeton e nominuar për çmimin “Latin Grammy” në kategorinë “Incizimi i vitit”.

Reperi po largohet nga muzika në kulmin e karrierës, kjo pasi arriti të thyejë rekorde globale me hitin e vitit 2017, “Despacito”, të cilin e solli në bashkëpunim me këngëtarin, Luis Fonsi. Kënga i numëron më shumë se 7.7 miliardë klikime në YouTube.

Një version remix i këngës së famshme, i cili e përfshinë edhe megayllin e muzikës pop, Justin Bieber, po ashtu arriti t’i kryesojë toplistat muzikore në dhjetë shtete të botës.

Gjatë karrierës së bujshme dhe mbresëlënëse, ikona e muzikës reggaeton ka arritur t’i fitojë disa çmime të rëndësishme muzikore në ceremoni të tilla si, “Latin Grammys”, “Billboard Music Awards”, “Latin American Music Awards” dhe “MTV Video Music Awards”.

Projekti i ardhshëm i reperit, “Legendaddy”, e shënon lansimin e albumit të parë të incizuar në studio pas atij të vitit 2012, “Prestige”. Ndërsa, turneu i ri muzikor i Yankees fillon më 10 gusht të këtij viti, me koncertin e parë në Portland të Oregonit.