Showbiz

Interesim i madh kudo në botë për serialin ku Zelenskyy luan presidentin e Ukrainës

Descriptive Text

Që nga fillimi i pushtimit rus ndaj Ukrainës, kompanitë televizive kanë nxituar t'u bashkohen atyre që kanë blerë tashmë të drejtat për shfaqjen e "Shërbëtorëve të Popullit", serial i shfaqur për herë të parë më 2015 në Ukrainë.

Agjencia e vogël në Stockholm "Eccho Rights", është e vërshuar me oferta për serialin televiziv ku një profesor historie bëhet president i Ukrainës, rol i luajtur nga Volodymyr Zelenskyy, që sot me të vërtetë është president ukrainas.

"Ne kemi shumë, shumë punë për të bërë. Njerëzit në mbarë botën po na kërkojnë të drejtat e shfaqjes", tha Nicola Soderlund, bashkëpronar i agjencisë “Eccho Rights”, që ka të drejtat e serialit,

Mes të interesuarve janë edhe kanali britanik “Channel 4”, pastaj ai grek “ANT1” dhe ai rumun “PRO TV”.

"Unë mendoj se kemi arritur rreth 15 marrëveshje javën e kaluar dhe jemi në negociata me 20 vende të tjera. Biseda e fundit ishte me Amerikën Latine dhe ne po flasim me Shtetet e Bashkuara, me Netflixin dhe shumë të tjerë", tha Soderlund.

Vetëm në Itali, katër shtëpi mediale luftojnë për të drejtat dhe në Greqi seriali po shfaqet tashmë në “prime time”.

"Në një farë mënyre, është një akt solidariteti me Ukrainën dhe në të njëjtën kohë kuriozitet, ju dëshironi të shihni se kush është", tha Soderlund për Zelenskyyn, aktor në serial dhe tash president i vendit.

Soderlund e takoi atë 10 vjet më parë.

“Kam drekuar me të në Kiev”, kujton suedezi, për të shtuar: “Ai i kishte të gjitha këto ide të çmendura dhe qesharake”.

Në "Shërbëtorët e Popullit", një seri me tri sezone, Zelenskyy luan një profesor historie të shkollës së mesme, i cili bëhet president pasi një nga studentët e xhiron fshehurazi gjatë një monologu të fuqishëm për korrupsionin në Ukrainë dhe më pas video bëhet virale.

Pas kësaj, në vitin 2019, Zelenskyy u bë presidenti i vërtetë i Ukrainës. Ai shumë vonë iu bashkua garës për president dhe gjithë fushatën gati e bëri në rrjete sociale për të fituar në fund bindshëm, me mbi 70 për qind të votave.

Tash është kthyer në hero jo vetëm të ukrainasve me udhëheqjen që po i bën shtetit në kohë lufte me Rusinë.

“Ai gjithmonë thoshte: ‘Aktorët kanë qenë presidentë në Shtetet e Bashkuara për kohë të gjatë”, kujton shefi ekzekutiv i “Eccho Rights”, Fredrik Malmborg.

“Eccho” nuk ka marrë lajme nga presidenti ukrainas së fundmi, por zyrtarët e saj kanë biseduar me njerëzit e afër të Zelenskyyt.

Detajet rreth blerjes të të drejtave të serialit janë konfidenciale, por ato kushtojnë "rreth një milion euro". Kompania e prodhimit punëson rreth 40 njerëz në Stokholm, Londër dhe Stamboll dhe dhuroi 50.000 euro për Kryqin e Kuq të Ukrainës.

Image