Showbiz

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve “Academy of Country Music Awards”

Descriptive Text

Edicioni i 57-të i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Academy of Country Music Awards” u mbajt të hënën mbrëma në Las Vegas.

Yjet e muzikës country, Dolly Parton, Jimmie Allen dhe Gabby Barrett, e prezantuan shoun e sivjetmë i cili u karakterizua edhe me performanca të ndryshme muzikore në skenë. Në mesin e artistëve që performuan për publikun e pranishëm dhe ata që po e ndiqnin ceremoninë nga shtëpia ishin, Kelly Clarkson, grupi “The Brothers Osborne”, Ashley McBride dhe Carly Pearce.

Ndërkaq, fitues u shpallën disa prej top artistëve të zhanrit country të tillë si Miranda Lambert e cila u nderua me çmimin “Entertainer of the Year”, Carly Pearce u shpall “Artistja e vitit”, Chris Stapleton e fitoi çmimin “Artisti më i mirë i vitit”, Morgan Wallen e nderua në kategorinë “Albumi më i mirë” për incizimin “Dangerous: The Double Album”, kënga më e mirë u shpall hiti i Lainey Wilsonit “Things a Man Oughta Know”, ndërkaq me çmime “Artisti përkatësisht artistja më e mirë e re” u nderuan yjet, Parker McCollum dhe Lainey Wilson. Këngëtaret Elle King dhe Miranda Lambert u shpërblyen me çmimin “Videoklipi më i mirë i vitit”, për bashkëpunimin e tyre “Drunk (And I Don’t Wanna Go Home)”. Grupi “The Brothers Osborne” u nderuan me çmimin “Dyshja më e mirë e vitit” kurse “Grupi më i mirë” u shpall bendi “Old Dominion”.

Gjatë mbrëmjes, artistë të shumtë u kujdesën që ta shprehin përkrahjen e tyre për popullin ukrainas, të cilët po vuajnë si pasojë e luftës së iniciuar nga Russia. Legjenda e muzikës, Dolly Parton, para të pranishmëve deklaroi: “Mua më pëlqen të qeshë, të bëjë shaka dhe natyrisht që sonte do të argëtohemi së bashku, por gjithashtu dua që para se të fillojë gjithçka, të bëhemi pak serioz. Nuk dua të bëhem politike dhe kjo nuk ka të bëjë me politikë, por dua që t’iu dërgojmë dashuri dhe shpresë të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në Ukrainë. Prandaj, pse të mos ua dedikojmë këtë ceremoni atyre njerëzve, dhe të lutemi për paqe anembanë kësaj bote të çmendur”.

Ceremonia e përvitshme “ACM Awards” i nderon artistët dhe projektet më të mira të muzikës country, zhanër ky shumë i pëlqyer dhe i vlerësuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.