Showbiz

Rikthimi i Lindsay Lohanit në kinematografi

Aktorja e famshme, Lindsay Lohan, po punon shumë për ta ringjallur karrierën e saj në kinematografi. Ajo ka nënshkruar marrëveshje me Netflixin, për realizimin e disa filmave.

Disa muaj pasi u bë e ditur se Lohan do të luajë në filmin e ardhshëm të festave të fundvitit, platforma gjigante e ka konfirmuar lajmin se tani ata e kanë arritur një marrëveshje të re me yllin e kinematografisë, i cili ua mundëson realizimin e disa projekteve filmike së bashku.

“Jemi shumë të lumtur me bashkëpunimin tonë të deritanishëm me Linsayn, dhe jashtëzakonisht të emocionuar që ta vazhdojmë këtë partneritet. Mezi presim t’u sjellim shikuesve tanë anembanë botës më shumë filma të saj”, deklaroi drejtoresha e filmave të pavarur në Netflix, Christina Rogers.

Hollësitë rreth dy filmave të ardhshëm të Lohanit nuk janë bërë publike ende, por besohet se shumë shpejtë do të jenë në dispozicionin e 222 milionë abonentëve të Netflixit.

Ky bashkëpunim mund ta kthejë aktoren në listës A të Hollywoodit, kjo pasi jeta e saj personale e mbushur me drama ia dëmtoi dukshëm karrierën në film gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

Lohan shquhej si një prej aktorëve fëmijë më të famshëm në Amerikë, me role protagoniste në filma të suksesshëm të arkave filmike si, “The Parent Trap” dhe “Mean Girls”. Por, reputacioni i saj u dëmtua si pasojë e varësisë nga drogat dhe alkooli, çka bëri që ajo të përfundojë në qendra të ndryshme rehabilituese dhe në burg.

Sidoqoftë në nëntor të vitit të kaluar, Lohan u fejua me të dashurin e saj prej dy vjetësh Bader Shammas dhe tani jeta e saj profesionale është duke lulëzuar krahas jetës personale.

Në fund të këtij viti vjen projekti i ri që e sjell atë në rol protagonist krahas aktorit, Chord Overstreet. Filmi me titull “Falling for Christmas” do të lansohet në Netflix.