Showbiz

U mbajt ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “SAG”

Foto: AP/Associated Press

Edicioni i 28-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “SAG” u mbajt të dielën mbrëma, me ç’rast u nderuan projekte dhe yje të filmit dhe televizionit në 15 kategori të ndryshme.

Filmi “CODA” e fitoi çmimin kryesor të mbrëmjes atë “Ekipi më i mirë në film”, duke u bërë kështu projekti i parë me aktorë shurdhmemec i cili e pranon këtë shpërblim. Kasta e yjeve të filmit, përfshirë këtu Marlee Matlinin e cila dukej e shokuar me këtë fitore, dolën në skenë për ta pranuar çmimin me ç’rast edhe deklaruan se janë të befasuar dhe të lumtur njëkohësisht.

Në fillim të mbrëmjes, filmi “CODA” e shënoi një tjetër fitore historike. Troy Kotsur u bë aktori i parë shurdhmemec që u shpërblye me çmim “SAG”, duke triumfuar kështu në kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor. Me anë të një interpretuesi të gjuhës së shenjave, ai ia shprehu dashurinë gruas së tij dhe bëri shaka duke i thënë vajzës së çiftit që ajo nuk mund ta përdorë trofeun e tij për t’i varur stolitë.

Ndërkohë ylli i hollywoodit, Will Smith, u pushtua tërësisht nga emocionet me t’u shpallur fitues i çmimin “Aktori më i mirë”.

“Ky është një nga momentet më të bukura të karrierës sime sepse u thirr emri im si protagonist i filmit ‘Kim Richard’, derisa po qëndroja ulur pranë kampiones Venus Williams”, tha para të pranishmëve në sallë, aktori i cili në film e portretizon babanë e Williamsit, .

Edhe Jessica Chastain u nderua me çmimin “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në një film biografik, “The Eyes of Tammy Faye”, dhe më të dalë në skenë e shprehu befasinë për triumfin e saj duke treguar se kishte punuar në këtë projekt për dhjetë vjet, me shpresën që do ta realizonte një film për të cilin, Tammy Faye Bakker, do të ishte krenare.

Ariana DeBose e fitoi çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e saj në projektin e Steven Spielbergut, “West Side Story”. Para të pranishmëve në ceremoni, ajo e quajti këtë projekt një përvojë e mrekullueshme kinematografike si dhe e falënderoi regjisorin e famshme hollywoodian.

Sa i përket shpërblimeve televizive, aktori shumë i dashur për publikun, Jason Sudeikis, e fitoi çmimin “Aktori më i mirë në komedi” për rolin e tij në serialin, Ted Lasso”, kurse Jean Smart u shpall “Aktorja më e mirë në komedi” për performancën e shkëlqyer në serialin “Hacks”.

Projekti i shumëshpërblyer televiziv “Ted Lasso” po ashtu u vlerësua me çmimin “Ekipi më i mirë në komedi”. Kurse, drama shumë e pëlqyer “Succession”, u shpall fituese e çmimin “Ekipi më i mirë në dramë”.

Aktori nga Korea Jugore, Lee Jung-jae, u emërua “Aktori më i mirë në dramë” për rolin e tij në serialin hit të Netflixit, “Squid Game”, duke e mundur një konkurrencë të fortë të përbërë nga aktorë yje si: Brian Cox, Kieran Culkin, Jeremy Strong dhe Billy Crudup. Me ta pranuar çmimin në skenë ai tha se ky ishte një moment i jashtëzakonshëm dhe se po ndihej i befasuar. Edhe kolegia e tij në serial, Jung Ho-yeon, u nderua në kategorinë “Aktorja më e mirë në dramë”, e cila po ashtu u shpreh e befasuar me këtë fitore, teksa e dha një fjalim emocional dhe i falënderoi të gjithë aktorët e pranishëm në sallë, të cilët e kishin inspiruar gjatë gjithë jetës së saj.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “SAG” fituesit e së cilëve përzgjidhen nga Shoqata e Aktorëve në Hollywood, u mbajt në Santa Monica si dhe transmetua live në kanalet, “TNT” dhe “TBS”.

{gallery}