Showbiz

Princi Harry nuk ndihet i sigurt t’i sjellë fëmijët në Britani të Madhe pa mbrojtjen e policisë

Avokatët e Princit Harry i thanë gjykatësit në një seancë dëgjimore të premten, që ai nuk po mund t’i sjell fëmijët e tij në Britani të Madhe për shkak se ka frikë për sigurinë e tyre.

Harry e ka filluar një betejë ligjore në gjykatën e Londrës, kjo pasi Qeveria britanike ia refuzoi kërkesën që të paguajë me paratë personale për mbrojtje nga policia, kur ai bashkë me gruan dhe fëmijët ta vizitojnë vendlindjen e tij.

Avokatët e princit thonë se ai dëshiron t’i sjell fëmijët, Archie dhe Lilibet, për ta vizituar Mbretëreshën Elizabeth dhe pjesëtarët tjerë të familjes mbretërore, por mendon që një veprim i tillë do të ishte shumë i rrezikshëm pa mbrojtjen e policisë.

Harry i cili aktualisht jeton në Santa Barbara të Kalifornisë, nuk e ndoqi seancën gjyqësore e cila i mbajt të premten, por gjykata i shqyrtoi kërkesat e të dyja palëve që pjesë të disa dokumenteve ligjore të mbaheshin private.

Anëtarëve të lartë të familjes mbretërore u jepet mbrojtje policore e financuar nga taksapaguesit, por Harry e humbi atë privilegj kur ai dhe Meghan dhanë dorëheqje nga angazhimet e tyre zyrtare si pjesëtarë të monarkisë dhe u transferuan në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020. Çifti tha se e kishte marrë këtë vendim për shkak të asaj që e përshkruan si ndërhyrje të padurueshme, dhe si pasojë e qëndrimeve raciste të mediave britanike karshi tyre.

Duka i Sussexit dëshiron t’i jepet mundësia të paguaj personalisht për sigurinë e familjes, duke thënë se ekipi i tij privat i sigurisë në SHBA nuk ka juridiksion adekuat jashtë vendit ose qasje në informacionin e inteligjencës së Britanisë së Madhe.