Showbiz

Helen Mirren nuk mendon se e meriton çmimin “SAG” për arritje jetësore

Aktorja 76-vjeçare, Helen Mirren, nuk mendon se e meriton shpërblimin për arritje jetësore.

Ylli i hollywoodit do të nderohet me këtë çmim special në ceremoninë e javës së ardhshme “SAG Awards” në Los Angeles, por thotë se nuk beson që e meriton një nderim të këtillë, pavarësisht karrierës së gjatë, të suksesshme dhe të mirënjohur.

Aktorja britanike tashmë është fituese e një çmimi “Oscar” dhe një “BAFTA”, për portretizimin e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë në filmin “The Queen”, një shpërblimi “Tony” dhe një “Laurence Olivier Award” për të njëjtin rol në shfaqjen “The Audience”, tri çmimeve “BAFTA” për performancën e saj në serialin “Prime Suspect”, dhe katër shpërblimeve “Emmy”.

Por, për çmimin e fundit që i nderon arritjet e saj në jetë dhe karrierë, Mirren tha: “Është e jashtëzakonshme. Sinqerisht nuk e ndjej se e meritoj këtë çmim. Gjatë karrierës sime unë i kam bërë disa filma të mrekullueshëm dhe disa të tjerë që ishin mjaft të tmerrshëm. Por, lajmi se jam përzgjedhur për t’u nderuan në ceremoninë e ardhshme ‘SAG’ më ka befasuar plotësisht. Është vërtetë një nderë i madh për mua”, deklaroi aktorja për revistën “You”.

Tutje, ylli i njohur i kinematografisë e pranoi se është kritikja më e madhe e vetes dhe vazhdon të dyshojë nëse është mjaftueshëm e mirë si aktore.

Ceremonia e sivjetme “SAG” e cila organizohet nga Shoqata e Aktorëve në Hollywood, mbahet të hënën më 28 shkurt.

Filmi i fundi në të cilin Mirren luan është drama dhe komedia britanike “The Duke”, ku luajnë edhe aktorët Jim Broadbent, Fionn Whitehead, Anna Maxwell Martin dhe Matthew Goode.

Filmi e shënoi premierën botërore në edicionin e fundit të festivalit të filmit në Venecie, kurse nëpër kinema pritet të lansohet nga 25 shkurti.