Showbiz

Bad Bunny paralajmëron turne nëpër Amerikën Veriore dhe atë Jugore

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i muzikës, Bad Bunny, e ka paralajmëruar turneun e tij të parë në Amerikën Veriore dhe atë Jugore, për fund të këtij viti.

Turneu, koncertet e së cilit do të zënë vend nëpër stadiume, vjen me titull “World’s Hottest Tour” dhe pritet të fillojë më 5 gusht në Orlando të Floridas. Tutje, reperi i njohur latin do të interpretojë për dy muaj rresht nëpër qytete të ndryshme të Amerikës Veriore, para se të vazhdojë me performancat nëpër Amerikë Jugore në tetor të këtij viti.

Hapjen e koncerteve të Bad Bunnyt do ta bëjnë dy DJ të famshëm, Alesso dhe Diplo.

Njoftimi për turneun nëpër stadiume vjen pak kohë pas atij në arenat e brendshme i quajtur, “El Último Tour Del Mundo”, që fillon muajin e ardhshëm.

Në një konferencë për media, kompania që merret me organizimin e koncerteve, “Live Nation”, njoftoi se për turneun i cili i përmban gjithsej 35 koncerte janë shitur më shumë se 500 mijë bileta.

Në fillim të këtij muaji u raportua që më shumë se 2 mijë raste me koronavirus lidheshin me koncertet e yllit të muzikës reggaeton, të cilat zunë vend në dhjetor të vitit të kaluar në stadiumin “Hiram Bithorn” në San Juan të Puerto Ricos. Afërsisht 60 mijë njerëz e ndoqën koncertin dyditor të reperit, Bad Bunny, duke kontribuar kështu në rritjen e dukshme të rasteve me COVID-19 në vend.

Po ashtu në dhjetor 2021, ylli i hitit “Dakiti” për të dytin vit me radhë u emërua artisti më i dëgjuar në botë nga platforma Spotify. Në të njëjtin muaj ai i befasoi fansat me lansimin e videoprojektit, “Te Deseo Lo Mejor”, i realizuar në bashkëpunim me krijuesit e shout të animuar “The Simpsons”.