Showbiz

Prezantuesi Seth Meyers dhe aktorja Lupita Nyong’o kanë rezultuar pozitivë me COVID-19

Descriptive Text

Edhe një tjetër prezantues televiziv ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai është Seth Meyers, i cili përmes një postimi në Twitter e ka konfirmuar lajmin se është infektuar me virusin vdekjeprurës.

48-vjeçari i famshëm i ka anuluar episodet e ardhshme të shout “Late Night with Seth Meyers”, deri sa të rikuperohet plotësisht.

“Lajmi i keq është se kam rezultuar pozitiv me COVID, ndërsa lajmi i mirë është se po ndihem shumë mirë falë vaksinës dhe përforcuesve tjerë të imunitetit. Jemi detyruar t’i anulojmë edicionet e kësaj jave të emisionit, por do të shihemi së bashku të hënën e ardhshme”.

Po ashtu, aktorja Lupita Nyong’o i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i informuar fansat se është infektuar me koronavirus, ani pse ndihet mirë me shëndet dhe po përjeton simptoma të lehta falë faktit se ka qenë e vaksinuar.

Aktorja 38-vjeçare tregoi se aktualisht po qëndron e izoluar dhe shpreson që shumë shpejtë të shërohet dhe t’i kthehet punës.

“Edhe unë jam prekur nga COVID-19. Falë Zotit janë e vaksinuar dhe po kujdesëm për veten në izolim”.

Ylli i filmit “Black Panther” tutje i inkurajoi fansat që të tregohen të disiplinuar ndaj masave të sigurisë, t’i mbajnë maskat vazhdimisht dhe ta mbrojnë veten dhe të tjerët deri gjatë kësaj pandemie.

Seth Meyers i cili ka qenë pjesë e trupës së komedianëve të shout, “Saturday Night Live”, dhe aktorja e shpërblyer me “Oscar”, Lupita Nyong’o, i bashkohet listës së personazheve të famshme që gjatë muajit dhjetor janë infektuar me koronavirus, të tillë si: Jimmy Fallon, Whoopi Goldberg, Jessie J, Debra Messing, Hugh Jackman, Jesse Tyler Ferguson, 3 anëtarët e grupit “BTS” dhe të tjerë.