Showbiz

Halle Berry shkakton konfuzion tek fansat, e mohon lajmin e kurorëzimit

Foto: AP/Associated Press

Halle Berry u detyrua ta mohojë lajmin se është kurorëzuar me të dashurin e saj, Van Hunt, kjo pasi i hutoi fansat me postimin e një fotografie ku aktorja dhe muzikanti shfaqen të përqafuar brenda një kishe, gjatë udhëtimit të fundit romantik të çiftit.

55-vjeçarja e famshme i kishte postuar dy fotografi në llogarinë e saj në Instagram, ku e para shoqërohej me mbishkrimin, “Epo... është zyrtare”, kurse në fotografinë e dytë shkruhej, “Është viti 2022”. Dhe pikërisht kjo shaka e mirëmenduar dhe e qëllimshme e çiftit i bëri njerëzit të mendojnë se ata janë kurorëzuar. Si rezultat, pasuan urime të shumta nga fansat por edhe yjet e showbizit.

 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Halle Berry (@halleberry)

 

Por, të dielën më 2 janar, Berry u detyrua t’i demantojë spekulimet se është martuar, duke treguar se ajo dhe i dashuri i saj thjeshtë kanë dashur të bëjnë shaka, ani pse i vlerësojnë urimet dhe komentet domethënëse që i kanë pranuar.

“Thjesht po argëtoheshim për Vitin e Ri! Është e qartë se njerëzit nuk e kanë shikuar fotografinë e dytë siç kemi menduar se do ta bënin. Por, ju falënderojmë për urimet e mira, na keni emocionuar vërtet. Tani është ZYRTARE, interneti nuk është më i pamposhtur”, u sqarua aktorja me postimin e saj të fundit.

 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Halle Berry (@halleberry)

 

Berry dhe Hunt e bënë të ditur lajmin se janë në lidhje në shtator të vitit të kaluar, përmes një postimi në Instagram. Ylli kinematografik i shpërblyer me “Oscar” e pati postuar një fotografi ku shfaqej e veshur me një bluzë e cila e mbante emrin e muzikantit në të.

Së fundmi aktorja ka deklaruar se në këtë lidhje ndihet më e lumtur dhe më e përmbushur se kurrë.

Hunt është baba i një djali tinejxher të cilin e ka nga lidhja e tij e kaluar kurse Berry i ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, nga lidhjet e mëparshme me modelin kanadez Gabriel Aubry dhe aktorin francez Olivier Martinez.

Para dy muajsh, Halle Berry, debutoi si regjisore me filmin e ri të Netflixit, “Bruised”. Në këtë projekt që vjen me skenar të Michelle Rosenfarbit, Berry përveç si regjisore vjen edhe në rolin e protagonistes, Jackie Justice. Ajo është një luftëtare e artit marcial e cila largohet nga ky sport e turpëruar. Disa vjet më vonë, e shtyrë nga inati dhe keqardhja ajo e gjen veten të detyruar të përfshihet në një përleshje brutale nga menaxheri dhe i dashuri i saj Desi. Kështu, Jackie e tërheq vëmendjen e një promovuesi të ligës së luftimeve i cili i premton asaj t’ia kthejë jetën në rend. Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta, pasi ajo përballet me një situatë më personale kur takohet me djalin të cilin e kishte braktisur si foshnje.

“Bruised” e shënoi premierën botërore në kuadër të festivalit të filmit në Toronto, ndërsa ka filluar së shfaquri në platformën e famshme digjitale, nga 24 nëntori i vitit 2021.