Showbiz

Ellie Goulding është përballur me ankthin gjatë vitit 2021

Foto: AP/Associated Press

Këngëtarja e njohur britanike, Ellie Goulding, e ka bërë të ditur lajmin se gjatë vitit që e lamë pas ka luftuar me ankthin dhe ka qenë në gjendje mjaft të keqe.

Pop ylli 35-vjeçar që e ka djalin tetë muajsh, Arthur, me bashkëshortin Caspar Jopling, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të diskutuar rreth sfidave të saj shëndetësore dhe njëkohësisht për t’ua uruar ndjekësve Vitin e Ri.

Këngëtarja e hitit “Love Me like You Do” e cila iu rikthye punës pak kohë pas lindjes së fëmijës së parë, shkroi: “Gëzuar Viti i Ri të gjithëve... Viti i kaluar ka qenë më i miri i jetës sime. Unë u bëra nënë, çka është gëzimi më i madh që e kam përjetuar ndonjëherë. Kam pasur kohë të bashkëpunojë me muzikant dhe tekstshkrues të mrekullueshëm, dhe kam incizuar muzikë të re për të cilën shpresoj se ua jep njerëzve që e dëgjojnë të njëjtën ndjenjë euforike që unë e përjetova kur po i shkruaja këngët. Gjatë vitit të kaluar e kam lansuar librin tim të parë, kam performuar për Dukën dhe Dukeshën e Cambridgeit. E kam një qen dhe mace që më duan shumë, dhe një burrë i cili më adhuron dhe më mbështet në çdo ditë të jetës. Por, ky vit po ashtu ka qenë më i vështiri i jetës sime. Çdo ditë, çdo natë dhe çdo orë jam përballur me një lloj ankthi dhe paniku që nuk e dija se ekzistonte. Ndërsa momentet e të qenit në skenë përballë të gjithë juve kanë qenë nga më emocionueset dhe qetësueset për mua, megjithëkëtë gjatë vitit 2021 jam përballur edhe me shumë vështirësi”.

Goulding mendon se ankthi e ka ndikuar në shumë prej vendimeve që ajo i ka marrë këta muajt e fundit.

“Nëse e mendoj mirë, ankthi ka ndikuar në shumicën e vendimeve të jetës dhe karrierës sime dhe ndihem mjaft e pikëlluar për këtë gjë. Por, gjithashtu më ka bërë kjo që jam. Nganjëherë kur isha në gjendjen më të keqe të mundshme, e pushtuar nga tmerri dhe kur mendoja se nuk ka shpëtim nga paniku dhe frika e plotë që e kanë pushtuar zemrën dhe trurin tim, ia kujtoja vetes se është normale të kesh ndjenja të tilla”, kishte shkruar tutje këngëtarja në postimin e saj.

Ellie Goulding në fund i inkurajoi të gjithë fansat e saj që të flasin me profesionistë, nëse janë duke u përballur me ankthin apo depresionin dhe nëse po përjetojnë vështirësi të ngjashme.