Showbiz

Suga, RM dhe Jin nga grupi “BTS” rezultojnë pozitivë me koronavirus

Descriptive Text

Tre anëtarë të grupit të njohur të muzikës K-Pop, “BTS”, kanë rezultuar pozitiv me koronavirus menjëherë pas rikthimit në Korenë Jugore, kështu ka bërë të ditur agjencia e cila e menaxhon karrierën e tyre muzikore “Big Hit Music”.

Suga u diagnostikua me COVID-19 të premten derisa, RM dhe Jin, kishin rezultuar pozitiv të shtunën mbrëma në natën e Krishtlindjeve.

Që të tre anëtarët e grupit i kanë marrë dozat e dyta të vaksinës në muajin gusht të këtij viti.

“BTS” përbëhet nga gjithsej shtatë djelmosha. Anëtarët e tjerë të bendit janë: J-Hope, Jungkook, V dhe Jimin.

Sipas menaxherëve të grupit, RM nuk ka përjetuar fare simptoma të koronavirusit derisa, Jin po shfaq shenja të vogla të sëmundjes përfshirë këtu ethe të lehta, dhe aktualisht është duke u trajtuar në shtëpi. Kurse, Suga i cili po ashtu nuk kishte përjetuar asnjë simptomë të COVID-19, po vazhdon të qëndrojë i vetizoluar në shtëpi ku po kujdeset për veten sipas këshillave të mjekëve.

Nga debutimi i grupit në vitin 2013, “BTS” ka arritur të bëjë famë mbarëbotërore dhe vlerësohet për stilin unik në muzikë, por edhe angazhimet e anëtarëve si aktivist për çështje të ndryshme përfshirë këtu fjalimin e tyre të fundit në selinë e Kombeve të Bashkuara, dhe thirrjet e vazhdueshme publike kundër racizmit ndaj aziatikëve.

Në muajin nëntor, grupi “BTS” u shpërblye me tri çmime “American Music Awards” në kategoritë “Artisti i vitit”, “Grupi i preferuar pop” dhe “Kënga më e mirë e vitit” për hitin e padiskutueshëm, “Butter”. Në muajin tetor kënga e tyre “My Universe” e cila erdhi në bashkëpunim me rok grupin britanik, “Coldplay”, u pozicionuar në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”.

E lansuar më 24 shtator në versionin audio, “My Universe”, tani është bërë kënga e gjashtë e grupit nga Korea Jugore që e kryeson toplistën “Billboard”, pas hiteve “Dynamite”, “Savage Love”, “Life Goes On”, “Butter” dhe “Permission to Dance”.

Po ashtu në muajin shtator, “BTS” e performoi këngën e re me titull, “Permission To Dance”, në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York. Shtatë anëtarët e bendit të cilët së fundmi u emëruan të dërguar special të OKB-së për brezat dhe kulturën e ardhshme, e dhanë një fjalim në asamble para se ta interpretonin këngën që u xhirua brenda ndërtesës së famshme.