Showbiz

Cardi B thotë se do ta lansojë albumin e ri gjatë vitit 2022

Foto: AP/Associated Press

Reperja amerikane, Cardi B, ka deklaruar se planifikon që albumin e ri ta lansojë gjatë vitit të ardhshëm.

Artistja e njohur nga Bronxi, aktualisht është duke punuar në realizimin e albumit të dytë të incizuar në studio që vjen pas atij debutues të lansuar më 2018, “Invasion of Privacy”, edhe pse finalizimi i tij është vonuar si pasojë e pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit.

Në muajin prill, Cardi B tha se situata me pandeminë e kishte dekurajuar ta lansojë albumin në vitin 2021, dhe nuk ka dashur ta promovojë incizimin e ri vetëm përmes videolidhjeve me “Zoom”.

Tutje, reperja shtoi se kishte provuar të largohet nga skena dhe syri i publikut për një kohë të gjatë, në mënyrë që ta përfundonte albumin e dytë muzikor.

Përmes një mesazhi të postuar mbrëmë për ndjekësit e saj në Instagram, Cardi i përditësoi fansat për progresin e punës.

“Ka qenë mjaft e rëndë dhe e vështirë ta balancoja jetën time të re. Tani kam shumë punë. Shpesh kam angazhime të cilat e kërkojnë një pjesë të madhe të kohës sime dhe mbi të gjitha, më duhet ta lansojë albumin gjatë vitit të ardhshëm. Po ashtu kam angazhime në kinematografi, me duhet ta xhiroj një film të ri. Kam vërtetë shumë punë për të bërë”, tha reperja duke mos i përmendur angazhimet familjare, tani që është nënë e dy fëmijëve.

Filmi i ardhshëm të cilin Cardi do ta realizojë vjen me regji të Thembi Banksit dhe titullohet, “Assisted Living”.

Lansimet e fundit muzikore të rep artistes së dashur nga publiku janë kënga, “Bet It”, e cila shërbeu si kolonë zanore e filmit të Netflixit, “Bruised”. Ky projekt po ashtu e shënon debutimin regjisorial të yllit të kinematografisë, Halle Berry, e cila po ashtu luan në të.

Cardi B gjatë vitit 2021 po ashtu ka bashkëpunuar me Lizzon, ne realizimin e këngës “Rumors”, me këngëtaren Normani në realizimin e hitit “Wild Side”, grupin e muzikës hip-hop “Migos” në realizimin e këngës “Type Shit” dhe kantautoren amerikane, Summer Walker, për realizimin e këngës “Bitter”.