Showbiz

Dua Lipa dhe Rita Ora: Lajmëtaret e Kosovës së pavarur

Këngëtaret britanike me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa dhe Rita Ora përkrahin kauza të ndryshme që lidhen me shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë futjen e saj në Apple Maps, shkruhet në një artikull të gjatë të televizionit publik turk, TRT World për dy artistet dhe ndikimin e tyre pozitiv për Kosovën.

Sipas shkrimit, të dy këngëtaret kanë xhiruar videoklipe në vende ballkanike dhe se interesimi për Ballkanin është i nxitur nga rrënjët e tyre kosovare.

“Teksa shikoja videoklipin "BIG" të Rita Orës për herë të parë pranverën e kaluar, arkitektura brutaliste në sfond më dukej si e njohur. Nuk është çudi pse: është filmuar pranë Sofjes, Bullgari. Një tjetër yll i popit, Dua Lipa, zgjodhi gjithashtu Bullgarinë për të xhiruar videoklipin e këngës së saj "Break My Heart". Megjithatë, interesimi i dy këngëtarëve për Ballkanin nuk është i nxitur nga marketingu, ato të dyja janë me prejardhje shqiptare dhe shpesh i referohen rrënjëve të tyre kosovare”, thuhet në shkrim.

Shkrimi më tej thekson se Kosova zakonisht bëhet titull kryesor në media për shkak të tensioneve me Serbinë, siç ishte ai i fundit për targat, mirëpo falë dy këngëtareve kosovare të rritura në Londër, tash ka më shumë lajme pozitive për këtë vend.

“Në vitin 2018, Ora ka performuar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për dhjetë vjetorin e Pavarësisë. Ajo po ashtu ka xhiruar videoklipin e këngës “Shine Ya Light” atje. Gjithashtu, derisa punonte me UNICEF-in në vitin 2015, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga e kishte emëruar Orën, ambasadore nderi e Kosovës. Për dallim nga Ora, Lipa e cila është këngëtarja më e transmetuar në Spotify, është lindur në Londër. Ajo i ka prindërit nga Kosova dhe është po ashtu krenare me prejardhjen e saj. Në vitin 1960, gjyshërit e Lipës dhe Orës ishin takuar dhe kishin pirë pije së bashku në Jugosllavinë e atëhershme”, thuhet në shkrim.

Mediumi turk po ashtu përmend publikimin nga ana e Dua Lipës të një harte ku përfshiheshin Shqipëria, Kosova dhe pjesë nga shtetet fqinje. Shumë njerëz e patën akuzuar se po mbështeste zgjerimin e Shqipërisë. Mirëpo, këngëtarja më vonë e kishte quajtur këtë një keqkuptim.

Kosova ka kohë që po lufton për të fituar njohjen ndërkombëtare si shtet i pavarur. Sot, 97 nga 193 anëtarët e Kombeve të Bashkuara, plus Lojërat Olimpike, Facebooki dhe Netflixi e njohin pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, mungesa e konsensusit global për këtë çështje ka lënë shumë njerëz të ndjehen të papërmbushur. Siç thekson Thomas Lindemann, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Artois, një mungesë e tillë njohjeje krijon "ndjenjën e dallimit negativ midis një vetë-imazhi të pretenduar dhe imazhit që na jepet nga të tjerët".

“Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës hartoi një plan për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare. Një strategji ishte rritja e pranisë së saj diplomatike jashtë vendit, duke krijuar 32 ambasada dhe 24 konsullata. Një tjetër pikë kyçe ishte të vihej një kthesë pozitive për pavarësinë e Kosovës. Shumica e zyrtarëve të Qeverisë në atë kohë me gjasë nuk e kishin parashikuar kurrë se do të kishin superyje të popit ndërkombëtar për të ndihmuar në atë përpjekje, por kështu rrodhën gjërat. Sot Lipa dhe Ora, duan apo nuk duan, janë lajmëtarët e profilit më të lartë për temën e pavarësisë së Kosovës”, vazhdon shkrimi.

Siç thuhet, përderisa disa Qeveri refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet sovran, Dua Lipa flet për trashëgiminë kosovare dhe Rita Ora thotë se në zemër është kosovare. Ndërkohë, blogerët e udhëtimeve në YouTube e promovojnë Kosovën si tokën e Dua Lipës dhe Rita Orës.

Vitin e kaluar, Lipa dhe Ora ndanë një peticion në rrjetet sociale duke kërkuar që Kosova të shfaqet në Apple Maps si një vend i pavarur. Në fund të fundit, kompania nuk i rivizatoi kufijtë, por e vendosi emrin e vendit në hartë.

“Më herët, në vitin 2018, Dua dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, ndihmuan në organizimin e festivalit të parë të madh muzikor në Kosovë “Sunny Hill”. Dukagjin Lipa, gjithashtu një muzikant, pati thënë se ata synojnë të tregojnë se sa bollëk mund të jetë Kosova, një vend ku është me të vërtetë e mundur të kalosh një kohë të mirë, për ta bërë të njohur përtej thjesht konflikteve në rajon.Platforma që Lipa dhe Ora gëzojnë si të famshme, ka fuqinë të ndikojë në perceptimet e njerëzve. Ata e bëjnë këtë duke e drejtuar vëmendjen drejt çështjeve të tilla si pavarësia e Kosovës, e cila normalisht nuk do të ishte në qendër të vëmendjes”, thuhet në shkrim.

Për të treguar fuqinë që Dua Lipa e Rita Ora kanë për të ndryshuar përceptimin e botës për Kosovës, mediumi turk merr si shembuj disa raste nëpër botë, sesi njerëz të suksesshëm të shteteve të ndryshme, mund të ndihmojnë kauza të caktuara të atyre shteteve apo edhe të ndonjë individi në veçanti.