Showbiz

Johnson zotohet të mos përdor armë të vërteta në xhirime

Dwayne Johnson i ka dhënë përkrahje grupit në rritje të profesionistëve të kinematografisë, që zotohen të mos përdorin më armë të vërteta në prodhimet e tyre, pas vdekjes së Halyna Hutchins.

Akori i filmit “Red Notice” e ka komentuar ngjarjen e tragjike në setin e xhirimeve për filmin “Rust”, në një intervistë për Variety, duke thënë se nuk mendon që të përdorë më armë të vërteta gjatë xhirimeve të ndonjë filmi.

Rreth dy javë më parë, aktori Alec Baldwin ka lënë të vdekur aksidentalisht drejtoren e fotografisë, Halyna Hutchins, gjatë setit të xhirimeve për filmin “Rust” në New Mexico të SHBA-së, derisa ka shtënë me një armë e cila do të përdorej për filmin.

Ndërkohë, Dwayne Johnson ka thënë se ndihet keq që ka humbur jetën një grua, mirëpo ka shtuar se ka kohë që e njeh edhe aktorin Baldwin.

“Para së gjithash, më është thyer zemra. Ne humbëm një jetë. Zemra ime është me familjen e saj dhe të gjithë në xhirime. Unë gjithashtu e njoh Alec për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Johnson.

Aktori ka vënë në dukje se filmi aksion i Netflix, në të cilin ai luan së bashku me Gal Gadot dhe Ryan Reynolds, do të jetë filmi i fundit në të cilin ai përdor armë zjarri të vërteta.

"Nuk mund të flas për askënd tjetër, por mund t'ju them, pa mungesë të qartësisë këtu, se çdo film që ne kemi çuar përpara me Seven Bucks Productions, çdo film, çdo shfaqje televizive, ose çdo gjë që bëjmë ose prodhojmë, nuk do të përdorim fare armë të vërteta”, është zotuar ai në emër të tij dhe kompanisë së tij të prodhimit.