Showbiz

Baldwini kërkon të kufizohet përdorimi i armëve të zjarrit në sete të xhirimeve

Alec Baldwin ka folur për herë të parë para gazetarëve pas ngjarjes tragjike në setin e xhirimeve për filmin “Rust”, ku aksidentalisht pas gjuajtjes me armë la të vdekur kinematografen, Halyna Hutchins.

Aktori Baldwin ka thënë për mediat se Hutchins ishte mikja e tij më e mirë. Ai po ashtu ka kërkuar që të kufizohet në të ardhmen përdorimi i armëve të zjarrit në produksionet filmike, në mënyrë që të mbrohet siguria e njerëzve.

“Ajo ishte mikja ime më e mirë. Ditën që arrita në Santa Fe dhe filluam xhirimet, ajo, unë dhe Joel darkuam së bashku. Ne ishim një ekip shumë, shumë i mirë”, ka deklaruar Baldwin.

Baldwin u ka thënë gazetarëve se policia e ka udhëzuar që të mos i diskutojë detaje e hetimit.

Ndërkohë, prokurorët e rastit nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale për rastin.

Hutchins, 42-vjeçare është qëlluar për vdekje gjatë xhirimit të filmit western “Rust” në shtetin New Mexico të SHBA-së. Ngjarja tragjike ka ndodhur një javë më parë, kur Baldwin qëlloi në mënyrë të pavetëdijshme me një armë të mbushur me plumb të vërtetë.

Regjisori i filmit, Joel Souza kishte mbetur i plagosur në krah, pasi ndodhej shumë pranë Hutchinsit.