Showbiz

Hadid nuk e komenton përplasjen familjare, përqendrohet tek e bija

Modelistja e njohur Gigi Hadid ka thënë se është krejtësisht e përqendruar në vajzën e saj.

26-vjeçarja besohet se është ndarë nga Zayn Malik, babai i së bijës së modelistes, ndërkaq të enjten është raportuar se ish-këngëtari i grupit “One Direction” është përfshirë në një përplasje fizike me nënën e Gigit, Yolanda Hadid. Rasti besohet se ka ndodhur në fillim të muajit tetor. Modelistja nuk ka dashur të komentojë në lidhje me përplasjen fizike.

“Gigi është krejtësisht e përqendruar në atë që është e mirë për Khain. Ajo ka kërkuar privatësi gjatë kësaj kohe”, ka thënë zëdhënësja e saj për revistën “E! News”.

Tabloidi i njohur amerikan “TMZ” të enjten ka raportuar se nëna e modelistes, Yolanda, është duke menduar për raport policor pasi Zayn Malik besohet se e ka goditur.

28-vjeçari në një deklaratë në lidhje me incidentin ka thënë se nuk do të kontestojë akuzat për hatër të privatësisë së tij. Në një deklaratë tjetër për TMZ-në, 28-vjeçari ka mohuar të ketë goditur Yolandan dhe i ka bërë thirrje që privatisht të punojë në çështjet familjare.

“Mohoj se e kam goditur Yolanda Hadidin dhe për hatër të bijës refuzoj të japë komente tjera. Shpresoj se Yolanda do të tërheqë akuzat e rrejshme dhe në privatësi të zgjidh problemet familjare.

Në postimin e tij në Twitter, Gigit i është referuar si “partnerja ime”, por gjithashtu ka thënë se është “bashkë-prind”, term që zakonisht përdoret për prindërit që nuk janë së bashku, mirëpo kujdesen për fëmijën e tyre.

“Siç e dinë të gjithë, unë jam person privat dhe dua që të ofroj siguri për të bijën që po rritet. Një vend ku privatësia e familjes nuk hidhet në skenën botërore”, ka shkruar Malik.

“Në tentim për të mbrojtur hapësirën e saj, unë jam pajtuar që të mos kontestoj akuzat e dala nga një argument që pata me një familjare të partneres sime që hyri në shtëpinë tonë gjersa ajo nuk ndodhej në shtëpi për disa javë”, ka sqaruar këngëtari britanik.

Zayn Malik ka thënë se situata duhet të jetë çështje private dhe se është i vendosur për të bashkuar familjen në një ambient të qetë dhe larg syrit të publikut.

“Kjo ishte dhe duhet të jetë çështje private, por duket se tani për tani ka ndasi edhe me gjithë tentimet e mia për të kthyer ambientin paqësor në familje që do të mundësonte të jem bashkë-prind i së bijës në mënyrën që e meriton”, ka sqaruar Malik.