Showbiz

The Weeknd i nderuar për angazhimin si ambasador i vullnetit të mirë për UN-in

Descriptive Text

Ylli kanadez i muzikës, The Weeknd, thotë se emërimi i tij si ambasador i vullnetit të mirë për programin e Kombeve të Bashkuara, “World Food Programe”, është një nder i madh për të.

Këngëtarit i është dhënë roli i ri të enjten më 7 tetor në një ceremoni në Los Angeles, me ç‘rast u vlerësua angazhimi i tij në fushën e bamirësisë dhe donacionet e shumta për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë në Etiopi, Liban dhe të shtete tjera.

Në një deklaratë për revistën “Rolling Stone”, The Weeknd tha: “Ky është një nder i madh për mua sepse më ofron mundësinë t’i ndihmojë një shteti të tërë dhe dhjetëra miliona njerëzve anembanë botës të cilët vuajnë nga uria e skajshme. Pavarësisht linjave dhe rajoneve politike, ne duhet të shpëtojmë jetë për të gjithë njerëzit, pavarësisht se ku jetojnë apo kush janë ata. Sepse njerëzit po vdesin dhe kjo është ajo që më intereson ta parandalojmë. Bëhet fjalë për të ndihmuar çdo qytetar të Etiopisë që ka nevojë për të, si dhe njerëz në të gjithë globin që mbështeten në ndihmat ushqimore për të qëndruar gjallë, dhe kam ndërmend të bëj çmos brenda programit ‘World Food’ të OKB -së, për ta arritur këtë qëllim”.

Ai vazhdoi tutje duke e vlerësuar punën urgjente dhe të rëndësishme të ndërmarrë nga ky program i Kombeve të Bashkuara, duke thënë se ndihet i frymëzuar për t’iu adresuar shuarjes së urisë anembanë botës dhe ndihmimit të njerëzve në nevojë.

“Partneriteti ynë është një shtrirje autentike e të gjitha përpjekjeve dhe synimeve tona, për të ndihmuar ata në nevojë dhe për t’i dhënë fund kaq shumë vuajtjeve”.

Në muajin prill, ylli i muzikës pop i dhuroi 1 milion dollarë për të gjithë njerëzit në nevojë në Etiopi. The Weeknd i cili prejardhjen e ka nga Etiopia, e bëri këtë donacion të madh për t’i ndihmuar shtetit të Afrikës Veriore, të zhytur në gjak dhe të pushtuar nga kaosi. Konkretisht paratë e këngëtarit, emri i vërtetë i së cilit është Abel Makkonen Tesfaye, u shfrytëzuan për t’i siguruar mbi 2 milionë vakte të ushqimit për qytetarët atje, të zënë ngushtë mes dyluftimeve dhe të cilët edhe sot i vuajnë rëndë pasojat e kësaj situate.

“Jemi të lumtur ta mirëpresim artistin The Weeknd në familjen e ‘World Food Programe’. Dhembshuria e tij dhe angazhimi për t’i ndihmuar njerëzit e uritur anembanë botës, është me të vërtetë frymëzuese”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i programit, Barron Segar. Tutje ai shtoi se përfshirja e këngëtarit kanadez padyshim se do ta inspirojë gjeneratën e re të filantropëve që t’i bashkohen luftës për t’u siguruar që asnjë burrë, grua apo fëmijë të mos mbetet e uritur.

Ndërkohë, javën e kaluar The Weeknd i përditësoi fansat me lajme rreth albumit të ri muzikor, duke treguar se po i mungojnë vetëm disa elemente të cilat janë kyçe për krijimin e këtij incizimi.