Showbiz

Amazon mohon pretendimet se Kidmani ka hequr dorë nga filmi i ri

“Amazon Studios” ka mohuar pretendimet se Nicole Kidman ka hequr dorë nga produksioni i serive të reja “Expats”.

Të dielën, rrjeti i lajmeve HK01 në Hong-Kong ka deklaruar se aktorja e ka braktisur produksionin pas një mosmarrëveshjeje me regjisoren Lulu Wang. Por, një zyrtar nga “Amazon” ka thënë për “Variety” se Nicole ka përfunduar xhirimet sipas agjendës dhe nuk ka shkuar më herët.

“Nicole ka kryer punë sipas agjendës dhe nuk ka shkuar më herët. Ka pasur projekte të tjera ku ishte e angazhuar”, ka thënë zyrtari.

Nicole kishte fluturuar nga Sidnei për në Hong-Kong me aeroplan privat më 12 gusht për xhirimet e serialit të ri “Expats” dhe ishte duke qëndruar në një vilë me qiranë qarkun e qytetit Peak.

Sidoqoftë, ajo ndezi polemika dy ditë më vonë pasi u publikuan fotografi ku shihej duke bërë pazar në një dyqan rrobash në rrethin Qendror të qytetit me truprojën e saj.

Sipas masave të Hong-Kongut udhëtarët ndërkombëtarë duhet të izolohen për të paktën shtatë ditë pas mbërritjes dhe më pas duhet të “vetëmonitorohen”. Sidoqoftë, qeveria e Hong-Kongut konfirmoi se e përjashtoi Kidmanin nga këto rregulla të ashpra për karantinim.

Në një deklaratë për HK01, Byroja e Tregtisë dhe Zhvillimit Ekonomik e Hong-Kongut ka thënë se Kidman u përjashtua nga karantina e detyrueshme “për të kryer punë të caktuar profesionale”.

Si pjesë e përjashtimit të saj, asaj iu kërkua të vaksinohej kundër Covid-19, të qëndronte në një “vendbanim të caktuar”, të testohej rregullisht për virusin dhe të siguronte “itinerare të lidhura me punën”, sipas “Dimsumdaily Hong Kong”.

Lajmi për përjashtimin e Kidmanit shkaktoi reagime të ashpra në mediat sociale, ku disa vendas të Hong-Kongut u ankuan për “standardin e dyfishtë” të dukshëm që gëzonte vizitorja e famshme.