Showbiz

Beyonce gati për “Oscar” me filmin e motrave Williams

Beyonce është një prej yjeve më të mëdha të muzikës në botë dhe deri më tani ka arritur të rrëmbejë pothuajse çdo çmim të madh muzikor.

Mirëpo, ekziston ende një çmim të cilin këngëtarja 39-vjeçare nuk ka arritur ta rrëmbejë. Fjala është për “Oscar”, të cilin këngëtarja duket se e ka më afër se kurrë.

Bey është bërë pjesë e filmit “King Richard” me këngën e saj “Be Alive”, film ky i cili është shpallur në ekranin e Festivalit të filmit “Telluride” këtë vit, ndërkaq ende nuk është paraqitur nëpër kinematë botërore.

Me këtë këngë, Beyonce pritet të nominohet për çmim në katergorinë “Best Original Song” të “The Oscars”.

Triumfi i ish-anëtares së grupit “Destiny’s Child” në këtë kategori do të shënonte histori tjetër për karrierën e saj, pasi këtë vit, ajo ka hyrë në histori si këngëtarja me më së shumti çmime “Grammy” deri më tani.

Ndërkohë, vitin e kaluar, Beyonce ishte lënë jashtë nominimeve për “Oscar” pavarësisht se ishte bërë pjesë e filmit “The Lion King” me këngën e titulluar “Spirit”.

Filmi “King Richard” në të cilin rolin kryesor e luan aktori Will Smith, paraqet karrierën e tenisteve të famshme, motrave Venus dhe Serena Williams, të cilat arritën shumë në këtë sport falë trajnerit të tyre, babait Richard Williams. Filmi pritet të lansohet më 19 nëntor të këtij viti.