Showbiz

Noizy, me dashuri ndez sheshin “Skënderbeu”

Descriptive Text

Lideri i labelit OTR për herë të parë ka mbajtur një koncert madhështor në sheshin më të madh shqiptar.

Reperi Noizy, të hënën mbrëma, në sheshin e saporinovuar “Skënderbeu” në Tiranë, i shoqëruar si gjithnjë nga anëtarët e labelit të tij, për më shumë se një orë ka kënduar pjesë të krijimtarisë së tij muzikore.

Sipas Noizyt, në këtë koncert ishin të pranishëm 100 mijë persona që të gjithë fansa të tij, transmeton emisioni Express në KTV.

“Sipas Statistikave zyrtare, mbrëmë në Sheshin Skënderbej, në koncertin që mbajtëm erdhën plot 100.000 Fansa & Miq për të ndjekur performancën tonë. Sipas drejtoreshës së Bashkisë së Tiranës, ishte koncerti më i madh që është bërë ndonjëherë në Historinë e Shqipërisë”, ka shkruar Noizy i njohur me nofkën ZiniZin, në rrjetin e tij social instagram.

“Ajo që më bëri më shumë përshtypje është fakti se asnjë gazetë apo portal online nuk foli për këtë. Në fakt, po presin për mua të bëj skandal dhe direkt të nisin lajmet. Por jo, unë kam plot dashuri dhe me dashuri do t’ju vras”, ka shkruar tutje lideri i OTR.

Pas këtyre fjalëve të reperit Noziy, të menjëhershme ishin reagimet e disa fansave të rivalëve të tij, duke e ironizuar atë për shifrën e pjesëmarrëse në koncertin e tij.

“Koncert falas? Unikkatil is king of rap”, ishte ky një nga komentet ironike, ku Noizyn e akuzojnë se koncerti i tij nuk kishte çmim për të qenë pjesë e tij, dhe që ajo është organizuar nga Partia Socialiste, e cila doli triumfuese në zgjedhjet e 25 qershorit.

Noizy në këtë koncert kishte të veshur një bluzë me mbishkrimin “100 kile” dhe pas shpinës e kishte të stampuar numrin tre, e cila është ikonë e labelit të cilin e drejton ai.

Noizy, pas këtij koncerti, pritet të publikojë një varg projektesh muzikore, të cilat i ka gati për t’i publikuar në këtë sezon të verës.