Showbiz

Victoria Beckham në rolin e mësitit për mikeshën e saj Kim Kardashian West

Besohet se ylli i muzikës dhe modës, Victoria Beckham, po e luan rolin e mësitit për mikeshën e saj të re, Kim Kardashian West.

Ylli televiziv është bërë shoqe e afërt me ish-anëtaren e grupit “Spice Girl” të shndërruar në disenjatore të modës, nga muaji prill kur Kim ishte e ftuar në ndejën e ditëlindjes së 47-të të Victorias, në Miami.

Dhe pasi bukuroshja 40-vjeçare bëri kërkesë për shkurorëzim nga reperi, Kanye West, me të cilin e ka katër fëmijët, North, Saint, Chicago dhe Psalm, asaj thuhet se po i pëlqen ideja që disenjatorja e njohur britanike t’ia prezantojë partnerin e saj të ardhshëm, sigurisht kur ajo të ndihet e gatshme për të krijuar lidhje të re serioze.

Kardashian bëri kërkesë për shkurorëzim nga Westin në shkurt të këtij viti, pas shtatë vjetësh martesë dhe nëntë vjetësh lidhje.

“Ato shohin shumë ngjashmëri tek njëra-tjetra dhe Kim e admiron mënyrën se si Victoria ka arritur sukses në karrierën e saj, duke i rritur katër fëmijë dhe duke e mbajtur një martesë të lumtur dhe të shëndoshë. Asaj do t’i pëlqente të dashurohet sërish. Por, meqë gjërat mes saj dhe Kanyes janë ende delikate, pasi nuk kanë shumë kohë që i kanë hyrë procedurës së shkurorëzimit, dhe pavarësisht faktit se Kim ka dalë në disa takime, megjithëkëtë ajo dëshiron që Victoria ta njohë me partnerin e ardhshëm”, citohet të ketë thënë një burim për revistën “Heat”.

Reperi i njohur amerikan, Kanye West, i cili po qëndron në një dhomë të vogël në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta, deri në përfundim të albumit të radhës me titull, “Donda”, tashmë e ka filluar një lidhje të re romantike me modelen, Irina Shayk.

Gjatë një episodi të fundit të shout “Keeping Up With The Kardashians”, Kim shfaqet e përlotur dhe e pranon se ndihet e dështuar, teksa ua rrëfen motrave të saj problemet martesore. Në episodin që ishte xhiruar vitin e kaluar, afaristja e njohur amerikane lë të nënkuptohet që arsyeja e shkurorëzimit të saj nga reperi, është ngase ajo mendon që Kanye meriton ta ketë një grua e cila mund të zhvendoset nga shteti në shtet për të qëndruar me të.

Kim Kardashian po ashtu e pranoi se ndihet dështake dhe si humbëse, për faktin se ky është shkurorëzimi i saj i tretë. Në të kaluarën ajo kishte qenë e martuar me producentin muzikor Damon Thomas dhe basketbollistin Kris Humphries.

Sidoqoftë, një burim i afërt me familjen Kardashian ka treguar se themeluesja e kompanisë “Skims”, është e bindur se e ka marrë vendimin e duhur për t’i dhënë fund martesës.