Showbiz

Menaxheri i Britney Spearsit jep dorëheqjen pas 25 vjetësh punë me të

Descriptive Text

Pas 25 vjetësh bashkë, Larry Rudolph, ka vendosur të heqë dorë nga puna si menaxher i Britney Spears.

Në një deklaratë të publikuar fillimisht nga “Deadline”, Larry njoftoi dorëheqjen, pasi shpjegoi se është i vetëdijshëm se këngëtarja ka në plan të dalë në pension së shpejti.

Letra i është drejtuar babait të Britneyt, Jamie Spears dhe Jodi Montgomery, që shërbejnë si bashkëkujdestarë të saj.

“Ka kaluar mbi 2 vjet e gjysmë që kur Britney dhe unë kemi komunikuar, kohë në të cilën ajo më informoi se donte të ndërpriste punën për një periudhë të pacaktuar. Sot, kuptova se Britney kishte shprehur hapur qëllimin e saj për të dalë në pension zyrtarisht”, është shprehur menaxheri i artistes.

Në janar 2019, këngëtarja e “Pieces of Me” papritmas pezulloi qëndrimin e saj në Las Vegas dhe njoftoi ndërprerjen e punës për një kohë të pacaktuar, duke përmendur çështjet shëndetësore të babait të saj si arsye në atë kohë. Larry shprehet gjithashtu se ai nuk ka qenë në dijeni të detajeve që lidheshin me vendimin e super yllit për t’u tërhequr zyrtarisht nga muzika.

“Unë fillimisht u punësova me kërkesë të Britney për ta ndihmuar në menaxhimin e karrierës së saj. Dhe si menaxher i saj, unë besoj se është në interesin më të mirë të Britney-t që unë të heq dorë nga ekipi i saj pasi shërbimet e mia profesionale nuk janë më të nevojshme. Unë gjithmonë do të jem tepër krenar për atë që kemi arritur gjatë 25 viteve tona së bashku. Unë i uroj Britney-t shëndet dhe gjithë lumturinë e botës dhe do të jem pranë saj nëse ajo ka nevojë për mua përsëri, ashtu siç kam qenë gjithmonë”, është shprehur menaxheri.

Lajmi për dorëheqjen e menaxherit vjen pak ditë pasi Britney vendosi të rrëfente para gjykatësve gjithë problemet në lidhje me kujdestarinë e të atit. \iconstyle