Showbiz

Snoop Dogg këshilltari i ri ekzekutiv i studios incizuese “Def Jam Recordings”

Descriptive Text

Snoop Dogg është caktuar nga kompania “Def Jam Recordings” të shërbejë si këshilltar ekzekutiv për krijimtari dhe strategji.

Reperi tani do të punojë për së afërmi me studion e njohur incizuese, e cila ka marrëveshje bashkëpunimi me yje të famshëm të muzikës, si Kanye West, Justin Bieber dhe Jhené Aiko.

Roli i ri i yllit Snoop Dogg do të thotë se ai do të punojë në mënyrë strategjike me të gjithë ekipin ekzekutiv të kompanisë dhe artistët e saj, me një fokus të veçantë në divizionin që është përgjegjës për kërkimin e talenteve dhe zhvillimin kreativ dhe komercial të artistëve. Kështu u bë e ditur përmes një komunikatë për media.

 

 

Puna e tij e re zë vend në Los Angeles dhe Snoop do të duhet t’i raportojë kryetarit dhe shefit ekzekutiv të kompanisë “Universal Music Group”, Sir Lucian Grainge dhe kryetarit të përkohshëm dhe shefit ekzekutiv të studios “Def Jam”, Jeffrey Harleston.

“Jemi të emocionuar dhe të lumtur që artisti i veçantë i skenës muzikore, Snoop Dogg, po e sjell eksperiencën e tij të thellë në këtë industri, lidhjet e fuqishme me artistë të ndryshëm, kreativitetin e pakufi dhe energjinë infektuese të tij, në studion incizuese ‘Def Jam’. Mezi presin të bashkëpunojmë me të,” ka deklaruar Lucian Grainge.

Kurse Jeffrey Harleston shtoi: “E kam pasur kënaqësinë ta njoh dhe të punojë me reperin Snoop Dogg, për më shumë se 20 vjet. Ai jo vetëm që e kupton çfarë nevojitet për të qenë një artist i suksesshëm, por Snoop gjithashtu është një prej njerëzve më kreativ, strategjik dhe të aftë për biznes, që unë i njoh. Ai e ka një pasion të gjerë dhe të sinqertë për labelin tonë dhe kulturën në përgjithësi, prandaj jemi të lumtur që po i bashkohet familjes së ‘Def Jam’”.

Të hënën më 7 qershor u lansua një remix i ri i hitit të këngëtarit Justin Bieber, “Peaches”, i cili i përfshinë edhe artistët Snoop Dogg, Ludacris dhe Usher.

Muajin e kaluar, Snoop e bëri të ditur lajmin se aktualisht është duke e zhvilluar një serial televiziv të bazuar mbi jetën dhe karrierën e tij, dhe i cili do të përmblidhet në gjashtë apo shtatë sezone.