Showbiz

Aktori kinez, Donnie Yen, pjesë e “John Wick 4”

Aktori Donnie Yen pritet që t’i bashkohet ekipit të filmit “John Wick”, përkrah yllit Keanu Reeves.

Aktori 57-vjeçar pritet ta portretizojë rolin e mikut të John Wickut, në pjesën e katërt të filmit që tashmë është duke u xhiruar.

Yen dhe Reeves në këtë pjesë të filmit kanë armiq të përbashkët.

Regjisori dhe aktori kinez në të kaluarën ka luajtur edhe në filmat “Mulan”, “Rogue One: A Star Wars Story” dhe “xXx: Return of Xander Cage”.

“Jemi me fat që kemi aktorin Donnie Yen si pjesë të filmit. Mezi pres që të punoj me të për rolin e ri”, ka thënë regjisori Chad Stahelski.

Producenti Basil Iwanyk ka thënë se aktori Yen do të sjell një energji gjallëruese dhe të fuqishme në film.

“Ishim të vendosur që ta kishim pjesë të ‘John Wick 4’ dhe jemi të lumtur që përkrah Keanus të kemi një talent si ai”, ka thënë producenti Iwanyk.

Në muajin maj, britanikja me prejardhje japoneze, këngëtarja Rina Sawayama i është bashkuar ekipit. Regjisori Stahelski për debutimin e saj në botën filmike kishte thënë se është një talent i jashtëzakonshëm që do t’i japë shumë filmit.

Sawayama ishte studente e Universitetit të Cambridget, ndërkaq bëri karrierë në modelim dhe së fundmi në muzikë. Ka korrur sukses me këngët “XS”, “Comme des Garçons” dhe “Chosen Family”, për të cilën bashkëpunoi me këngëtarin legjendar, Elton John.

Xhirimet e filmit janë duke u bërë në Gjermani, Francë dhe Japoni.

Trilogjia “John Wick” ka shënuar suksese në arkat filmike që prej vitit 2014 kur debutoi pjesa e parë që tuboi 86 milionë dollarë. “John Wick: Chapter 2” grumbulloi 171 milionë dollarë, ndërkaq pjesa e tretë, ajo e vitit 2019, “John Wick: Chapter 3 – Parabellum”, arkëtoi 327 milionë dollarë në mbarë botën. Pjesa e katërt e filmit pritet të publikohet më 27 maj të vitit 2022.