Showbiz

Cena kërkon falje që e cilësoi Tajvanin shtet

Foto: AP/Associated Press

Ylli amerikan i mundjes dhe aktori John Cena u ka kërkuar falje fansave kinezë të martën pasi e ka quajtur shtet Tajvanin, gjatë një interviste të fundit ku promovoi filmin e fundit “Fast & Furious 9”.

Duke folur në televizionin TVBS në Tajvan, 44-vjeçari Cena u shpreh se Tajvani do të jetë shteti i parë që do ta shohë filmin më të ri “Fast and Furious”.

Kina e konsideron Tajvanin provincë të saj, diçka që në ishullin demokratik refuzohet.

“Kam bërë një gabim. Më vjen shumë, shumë keq”, është shprehur Cena në një video të postuar në Weibo më vonë. “E dua dhe respektoj Kinën dhe njerëzit e saj”.

Cena i bashkohet listës së yjeve botërore që kanë pasur telashe me publikun kinez për komentet lidhur me Tajvanin, Hong Kongun apo Xinjiangun.

Edhe shumë kompani ndërkombëtare kanë qenë pre e presioneve, me agjenci fluturimesh e hotele që i kanë kërkuar falje Kinës për listimin e Tajvanit si shtet.

Filmi i ri ka shpërthyer në javën hapëse në Kinë, që kur doli më 21 maj.