Showbiz

Rita Ora bashkëpunon me aplikacionin “Amazon Original” për versionin e ri të këngës “Bang Bang”

Rita Ora e ka lansuar një version akustik të këngës “Bang Bang”.

Ylli i hitit “Anywhere” është bërë bashkë me aplikacionin “Amazon Original” për realizimin e këtij interpretimi ekskluziv të këngës, i cili zuri vend në teatrin ikonik të Sidneyt, “State Theatre”.

“Performimi i këngës ‘Bang Bang’ live ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme. Në vend të një remixi, unë vërtetë doja ta krijoja një version më ndryshe të këngës. Më ka pëlqyer ta sjell atë të zhveshur nga instrumentet e fuqishme dhe elektronike, duke e shndërruar në një këngë me tinguj klasik dhe shpresoj shumë që do t’iu pëlqejë ky version I këngës ‘Bang Bang’ të cilin e kam interpretuar nga teatri “State” i Sidneyt. Jam shumë e lumtur që po e ndajë atë me ju përmes platformës Amazon Music”, citohet të ketë thënë Ora.

“Bang Bang” është pjesë e albumit EP të Rita Orës dhe DJ dhe producentit nga Kazakhstani, Imanbek.

Ky i fundit në një prononcim për media pati deklaruar: “Ishte shumë argëtuese të punoja me këtë projekt në mënyrë kaq kreative. Albumi na ka bashkuar jo vetëm nga ana kreative por edhe ajo personale, dhe ishte vërtetë një eksperiencë e paharruar për mua”.

Ndërkaq në të kaluarën, Rita kishte treguar se me albumin e saj të tretë të incizuar në studio, ka dashur ta sfidojë veten pak më shumë. Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore kishte deklaruar se fansat mund ta presin një eksperiencë krejtësisht ndryshme me albumin e ri, që vjen pas atij të vitit 2018 “Phoenix”, dhe zbuloi se vendimi për të eksperimentuar vjen nga dëshira për t’i shtyrë kufijtë me artin e saj.

“Njerëzit kanë ardhur në studio incizuese nga mbarë bota. Kam dy vjet që po punoj në këtë album të tretë, dhe kam plane tjera për të. Dua që ky incizim të jetë diçka që nuk e kam barë kurrë më herët, dhe dua vërtetë të eksperimentoj dhe ta sfidoj veten në maksimum. Prandaj për këngët e albumit të ardhshëm kam punuar me tekstshkrues të ri, dhe ato janë incizuar me instrumente të gjalla”, ka deklaruar Rita Ora.

Versionin e ri të hitit “Bang Bang” mund ta dëgjoni në listën “Acoustic Chill” të platformës “Amazon Music”.