Showbiz

Olivia Rodrigo do të performojë për herë të parë në Britani të Madhe

Këngëtarja dhe aktorja, Olivia Rodrigo, do ta shënojë debutimin e saj në skenën e muzikës në Britani të Madhe, me performancën e ardhshme në ceremoninë shpërblyese “BRIT Awards”.

Të mërkurën më 28 prill, organizatorët e kësaj ngjarjeje e bënë të ditur lajmin se ylli i hitit “Drivers License”, i është shtuar listës së performuesve të ceremonisë e cila mbahet më 11 maj.

Kështu Rodrigo i bashkohet yjeve të tillë si Dua Lipa, Arlo Parks, Griff, Headie One dhe të tjerë, të cilët do ta hijeshojnë skenën e ceremonisë “BRIT” me performancat e tyre.

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, në këtë ngjarje garon në gjithsej tri kategori, “Artistja më e mirë”, “Albumi më i mirë” dhe “Kënga më e mirë britanike”. Kurse këngëtarja Griff sivjet e pranon shpërblimin “Artistja më e mirë e re”.

Rodrigo e postoi një mesazh për performancën e saj të ardhshme, njëherësh e para në Britani të Madhe, të shoqëruar me fotografinë e saj të patentë-shoferit.

“Hera e parë që do të interpretoj në Britani të Madhe dhe atë në ceremoninë ‘BRIT’. Zot i madh, jam shumë e lumtur dhe mezi po pres”, kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e saj.

 

 

Edicioni i sivjetmë i ceremonisë “BRIT” e cila do të mbahet në arenën O2 të Londrës, bënë pjesë në organizimet e përzgjedhura nga Qeveria duke e lejuar një audiencë të drejtpërdrejtë me 2,500 njerëz. Ndërkaq bileta falas për ta ndjekur këtë ngjarje muzikore, u janë ofruar edhe punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë punuar dhe vazhdojnë të shërbejnë në vijën e parë të frontit. Publikut nuk do t’i kërkohet të mbajnë maska ​​ose distancë shoqërore, por ata do të duhet të sigurojnë një test negativ përpara se t’ju lejohet hyrja në ndërtesë.

18-vjeçarja Rodrigo e publikoi këngën debutuese “Drivers License”, më 4 janar të këtij viti. Ajo arriti të qëndroj në pozitën e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, për tetë javë rresht si dhe i ka dominuar toplistat tjera muzikore në SHBA dhe shtete tjera të botës, derisa në top-dhjetëshen e kësaj topliste, Rodrigo arriti të pozicionohet edhe me këngën e re “Deja Vu”. Këngëtarja mbeti jashtëzakonisht e emocionuar për faktin se dy këngët e para të karrierës arritën të renditen në vendin e pestë dhe të tetë të një prej toplistave më të rëndësishme muzikore.