Showbiz

U ndanë shpërblimet “SAG”

Foto: AP/Associated Press

Edhe pse pandemia bëri që ceremonia shpërblyese “SAG” të mos mbahej në formën tradicionale, mbrëmja sërish ishte një festë absolute e projekteve kinematografike dhe televizive.

Drama e platformës Netflix, “The Trial of Chicago 7”, në të cilën luajnë aktorët Yahya Abdul-Mateen, Joseph Gordon-Levitt dhe Michael Keaton, u nderua me çmimin kryesor të mbrëmjes, “Kasta më e mirë në film”, përmes ceremonisë e cila u mbajt në formatin virtual.

Filmi i regjisorit Aaron Sorkin bazohet në ngjarjen e vërtetë të vitit 1969 ku shtatë burra paditen për konspiracion nga qeveria federale.

Aktori i ndjerë, Chadwick Boseman, e fitoi çmimin e radhës postmortum duke u shpallur “Aktori më i mirë në film”. Ai u nderua për performancën e shkëlqyer në filmin “Ma Rainey's Black Bottom”. Kurse kolegia e tij në film, Viola Davis, u nderua me shpërblimin “Aktorja më e mirë në film”, për portretizimin e kryepersonazhit në këtë film.

Sa i takon shpërblimeve për televizion, “Drama më e mirë” u shpall seriali i Netflixit “The Crown”. Jason Bateman u shpall “Aktori më i mirë në dramë” për rolin e tij në serialin “Ozark”, derisa Gillian Anderson u nderua me çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”, për portretizimin e mrekullueshëm të kryeministres Margaret Thatcher në serialin “The Croën”.

Në kategoritë për projektet më të mira të zhanrit komedi, seriali “Schitt’s Creek”, u shpërblye me çmimin kryesor “Kasta më e mirë në komedi”, dhe protagonistja e këtij projekti, Catherine O’Hara, e fitoi çmimin “Aktorja më e mirë në komedi”. Kurse Jason Sudeikis u nderua më shpërblimin “Aktori më i mirë në komedia”, për rolin e tij në serialin “Ted Lasso”.

Ndër aktorët e tjerë të shpërblyer gjatë mbrëmjes ishin: Anya Taylor-Joy, Mark Ruffalo dhe Daniel Kaluuya. Çmimet “SAG” i ndanë shoqata e aktorëve të hollywoodit.