Showbiz

Craig vazhdon rolin e hetuesit në “Knives Out”

Aktori i njohur britanik, Daniel Craig, pas përfundimit të rolit të agjentit James Bond, pritet të vazhdojë me një personazh tjetër, me të cilin pati shumë sukses. Craig do të luajë në dy vazhdime të filmit “Knives Out”, që do të transmetohen në Netflix me një marrëveshje miliona dollarësh.

Platforma Netflix të enjten ka blerë të drejtat për dy pjesë të filmit “Knives Out”. Në këto dy pjesë, aktori Craig do të ribashkohet me regjisorin Rian Johnson. Sipas raportimeve, Netflixi ka paguar deri në 450 milionë dollarë për të drejtat e filmit, duke realizuar një prej marrëveshjeve më të mëdha të filmit. “Knives Out” film për misterin e një vrasjeje, pati sukses në vitin 2019 kur Craig luajti rolin e detektivit privat Benoit Blanc.

Aktori britanik përkrah pati yje si Jamie Lee Curtis, Chris Evans, Don Johnson, Ana de Armas dhe Christopher Plumer.

Filmi i studios filmike “Lionsgate” u realizua me një buxhet modest prej 40 milionë dollarësh, por në arkat filmike tuboi 311 milionë dollarë.

Craig, 53-vjeçar, për herë të fundit do të luajë rolin e agjentit britanik James Bond, në pjesën e re të titulluar “No Time To Die”, që është planifikuar të jepet premierë në muajin tetor të këtij viti.