Showbiz

Dua Lipa do të performojë në ndejën e Elton Johnit, para ceremonisë “Oscar”

Foto: AP/Associated Press

Dua Lipa dhe Neil Patrick Harris do t’iu bashkohen Sir Elton Johnit dhe bashkëshortit të tij, David Furnish, në ndejën e përvitshme “Elton John AIDS Foundation” që tradicionalisht organizohet pak para ceremonisë “Oscar”.

Ylli i hitit “Levitating” do të performoj në këtë ngjarje e cila mbahet më 25 prill në formatin virtual, dhe e cila do të prezantohet nga aktori 47-vjeçar Neil Patrick Harris, dhe emra të tjerë të showbizit të cilët edhe nuk janë bërë publik.

Për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, përkrahësit e fondacionit janë ftuar ta ndjekin këtë ndejë të famshme që zë vend para ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze “Oscar”, në formë virtuale.

“Këtë vit, ndejën tonë që organizohet pas ceremonisë ‘Oscar’ po e sjellim në shtëpitë e njerëzve për herë të parë në formë virtuale. Do të jetë një ndejë e jashtëzakonshme e organizuar nga David, unë dhe miqtë tanë të dashur, Dua Lipa dhe Neil Patrick Harris, por edhe shumë emra të njohur të showbizit dhe mysafir tjerë fantastik. Tani më shumë se kurrë ne duhet të sigurohemi që njëra pandemi të mos e tejkalojë një tjetër, dhe nuk mund t’i harrojmë 38 milion njerëz që jetojnë me HIV anembanë globit, dhe të cilët kanë nevojë për kujdesin, dashurinë dhe mbështetjen tone. Prandaj shpresojmë që të gjithë të na bashkohen në këtë ngjarje speciale dhe unike, dhe që mbahet pak para ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve akademike”, ka deklaruar Elton John në një prononcim për media.

Nga themelimi i kësaj ngjarje në vitin 1992, “The Academy Awards Viewing Party” e ka mbështetur përpjekjen e fondacionit bamirës së yllit të muzikës, Elton John, me qëllim të mbledhjes së miliona dollarëve për punën e tyre që shpëton jetë njerëzish.

“Është një nderë i madh të jem pjesë e një prej ndejave më ikonike para ceremonisë ‘Oscar’, dhe jam shumë krenare ta mbështes fondacionin ‘Elton John AIDS Foundation’ dhe të ndihmoj në trajtimin e stigmës që ekziston rreth HIV-it, pasi kemi nevojë për ta ndërtuar një botë më të mirë dhe më pranuese për të gjithë. Dhe ta ndajë skenën me Elton Johnin do të jetë një ëndërr e shndërruar në realitet për mua,” citohet të ketë thënë Dua Lipa, në prononcimin e saj për publikun.

Në lajme të tjera, këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, e ka arritur suksesin e radhës në karrierën e saj muzikore. Lipa është pozicionuar e treta në toplistën e 200 albumeve më të mira “Billboard”, me albumin e saj të dytë “Future Nostalgia” dhe për të pestën javë rresht, ky incizim pozicionohet në vendin e parë të toplistës së albumeve më të mira globale të platformës “Spotify”.